Aksidentet me autobusët në Tiranë, policia “u qepet” shoferëve: E pësojnë edhe “të pabindurit”

schedule13:01 - 6 Maj, 2022

schedule 13:01 - 6 Maj, 2022

Pas aksidenteve me mjetet e transportit publik në Tiranë, policia ka shtuar kontrollet. Një shofer është arrestuar pasi drejtonte autobusin në gjendje të dehur.

Sakaq, policia bën me dije se janë ndëshkuar dhe drejtues të tjerë mjetesh, të cilët janë konstatuar në shkelje.

Njoftimi i policisë:

Policia Rrugore e Tiranës/Kontrolle të befasishme në mjetet e transportit publik dhe për evidentimin e ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që kryejnë shkelje agresive.

Nga kontrollet e ushtruara në mjetet e transportit publik është arrestuar në flagrancë një drejtues autobusi, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të befasishme dhe të dedikuara gjatë 48 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues automjetesh që drejtonin automjetet nën efektin e lëndëve narkotike. Njëri prej drejtuesve kishte konsumuar 3 lloje drogash.

Gjatë kontrolleve parandaluese për verifikimin e drejtuesve të mjeteve të transportit publik, në rrugën “Dritan Hoxha”, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. K., 62 vjeç, i cili drejtonte autobusin në gjendje të dehur.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, shtetasi A. A., 21 vjeç, është konstatuar duke drejtuar automjetin pa rrip sigurimin dhe duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit. Pas testimit me aparatin drogë-testues Aquilascan, ka rezultuar se shtetasi A. A., e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, në vendin e quajtur “Qafë-Kashar”, shtetasi I. K., 27 vjeç, është konstatuar duke drejtuar automjetin pa rrip sigurimin, duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit, si dhe me xhamat e përparmë të riveshur mbi normën e lejuar. Pas testimit me aparatin drogë-testues Aquilascan, ka rezultuar se shtetasi I. K. e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!