Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar këtë të dielë në fshatin Suç të Bashkisë Klos.
Një 41 vjeçar u përplas për vdekje në rrugën e fshatit Kurdari pak metra larg kishës së fshatit. Leonard Doçi po lëvizte në këmbë nga fshati Kurdari për në rrugën nacionale Klos – Burrel kur është goditur nga automjeti tip benz më drejtues 19 vjeçarin Ergis Selimi.
Përplasja ka qenë e fortë teksa e ka zhvendosur disa metra larg 41 vjeçarin duke e nxjerrë jashtë rrugës. Automjeti ka lëvizur në kanal përreth 30 metra ku dhe ka ngecur aty.
41 vjeçari Leonard Doçi është transportuar me urgjencë për në spitalin e Burrelit por për shkak të plagëve të marra ka humbur jetën.
Ndërkohë 19 vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mat. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit ku paraprakisht dyshohet të jetë shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë./abcnews.al