Një aksident automobilistik është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Lumalas, rreth 3 kilometra në hyrje të qytetit të Korçës, në aksin nacional Korçë-Pogradec.
Sipas informacionit paraprak, nga përplasja kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët u transportuan menjëherë drejt spitalit të Korçës. Burime spitalore bëjnë me dije se të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se dy të plagosurit janë efektivë të antidrogës, të cilët po ndiqnin një person të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në zonën ku ndodhi aksidenti.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Vangjush Dushku, i cili dyshohet se shpërndante drogë në fshatin Lumalas. Gjatë momentit të arrestimit, atij iu gjetën edhe 7 doza kokaine.
Sipas të njëjtave burime, i arrestuari kishte në pronësi një lokal në fshat, ambient që dyshohet se përdorej edhe për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Ndërkohë, një prej efektivëve të plagosur është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Nga pamjet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se agjentët e antidrogës nuk lëviznin me automjet policie dhe nuk ishin të pajisur me fenelina sinjalizuese në momentin e ndjekjes.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./abcnews.al


