Altin Lala është një legjendë te Hannover në Gjermani dhe në të shkuarën tentoi të transferonte aty Milot Rashicën. Historia rrodhi ndryshe dhe djaloshi nga Vushtrria iu bashkua skuadrës së Vitesse në Holandë dhe shpërtheu.
Para EURO 2016, Rashica u grumbullua edhe nga Shqipëria dhe luajti në një miqësore. Trajneri i kombëtares në atë periudhë, Gianni De Biasi, nuk e ka të arsyeshme ta merrte në Europian dhe tani Rashica i përket Kosovës. Italiani shpesh është shënjestruar për atë zgjedhje të bërë, ndërkohë që Altin Lala tregon se e ngacmon ende De Biasin për Rashicën.
“E tall akoma me batuta (qesh). Çfarë i thoni dhe si përgjigjet? Nuk përgjigjet. Nuk e di se çfarë gjuhe flet pastaj. As shqip, as italisht, as arabisht (qesh)”, tregon me humor Lala në një intervistë për “Panorama Sport”. Sigurisht nuk mund të mos pyetet në lidhje me zërat e merkatos rreth Rashicës.
“Rashica po kalon një moment të mirë. Ka bërë hapa shumë të mëdhenj përpara dhe shpresojmë që të ketë vazhdueshmëri. Një ditë do ta shohim në një ekip të madh. Shpresoj që aty të jetë lojtar formacioni dhe deçiziv. Cili klub i madh ju ka kontaktuar? Po t’jua thosha këtë gjë juve, do të rrija nëpër kafene pastaj.
“Ofertë zyrtare? Nuk ka zyrtare. Pra, ka interesa. Janë shumë klube që e kanë vëzhguar, por për momentin nuk ka negociata aktuale. Të shohim në të ardhmen”, shprehet Lala, i cili menaxhon Rashicën dhe është i fokusuar pikërisht në këtë fushë të futbollit, pasi prej kohësh e ka shprehur që nuk e sheh dot veten si trajner, edhe pse e provoi një periudhë të ishte pjesë e stafit të kombëtares. /abcnews.al