Akademia e Sigurisë: Policia e Shtetit hap aplikimet, kriteret që duhet të përmbushni

schedule18:39 - 21 Korrik, 2020

schedule 18:39 - 21 Korrik, 2020

Policia e Shtetit ka njofton se janë shpallur aplikimet për pranimin në akademinë e sigurisë. Aplikimet janë hapur për studentë që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë me mesatare të notave mbi 8, për disa degë të caktuara.

Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike dhe përzgjedhjen të kandidatëve më të mirë, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës e mosdiskriminimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020.

Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit janë për të rinj që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkenca juridike, ekonomike dhe kompjuterike.

Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:
– të jenë shtetas shqiptarë;
– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;
– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:
– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):
– të jenë nën moshën 30 vjeç;
– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;
– të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:

– Formularin e aplikimit;
– Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit (të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit;
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
– Vërtetim nga gjykata;
– Vërtetim nga prokuroria;
– 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm:

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:

– vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi;
– vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;
– intervistimi i aplikantëve;
– kontrolli shëndetësor;
– marrja e shenjave të gishtave;
– verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!