Partizani nuk arriti të fitojë as në ndeshjen e fundit me Vllazninë, në Superiore, duke regjistruar barazimin e dytë radhazi në Kategorinë Superiore dhe mos i dhënë mundësinë vetes të marrë kryesimin e renditjes.
Pas ndeshjeve me Teutën e Vllazninë, ulet vështirësia për skuadrën e Ilir Dajës. Të dielën të kuqtë përballen me Bylisin si pritës. Fillimisht kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej në “Elbasan Arena”, aty ku Partizani ka luajtur gjithë ndeshjet si pritës.
Por në ndeshjen me Bylisin të kuqtë do kthehen të luajnë si pritës në kryeqytet. Është vendosur që sfida të luhet në “Air Albania”. Fusha aktuale e impiantit më modern në vend është rikuperuar së fundmi dhe FSHF nuk po e kursen prej faktit se aty do vendoset një tjetër tapet hibrid së shpejti.
Në javën e shkuar në “Air Albania” luajti Tirana, me bardheblutë, që e konfirmuan si stadium fatndjellës atë arenë, duke mundur 5-2 Apoloninë. Partizani nga ana tjetër ende nuk e ka kthyer në favorin e vet të luajturit në atë arenë dhe do provojë të ndryshojë këtë ndaj Bylisit të dielën në 16:00. /abcnews.al