Aida Hajnaj: Në disa vende të BE janë arrestuar anëtarë të grupeve kriminale

schedule14:51 - 19 Shtator, 2019

schedule 14:51 - 19 Shtator, 2019

Ashtu si Çekaj që u vu në pranga në Gjermani edhe anëtarë të tjerë grupeve të ndryshme kriminale janë prangosur në vendet e BE, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët e saj.

Goditja e grupeve kriminale që operojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e Bashkimit Europian ka qenë prioritetit i uniformave blu gjatë 9 muajve të 2019-s. Aida Hajnaj, Numri 2 i Policisë së Shtetit, theksoi se fokusi mbetet bashkëpunimin me aleatët më kryesorë të saj, me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Zyrën Ndërlidhëse Italiane Interforcë janë zhvilluar 6 operacione të koduara, konkretisht: Operacioni policor “Fiori di Primavera”, “METROPOLIS”, “WANTED 3”, “RED LEO 2016”, “GARDEN” dhe operacioni “SABIA”, gjatë të cilëve është bërë i mundur arrestimi i 72 shtetasve shqiptarë. Vlen të përmendet bashkëpunimi i Interpol Tiranës me Zyrën e Hetimeve Kriminale, pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), falë të cilit u bë i mundur ekstradimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë, për t’u përballur me organet shqiptare të drejtësisë, i dy shtetasve shqiptarë, njëri prej tyre më rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 15 vite burg, si dhe ekstradimi i tre shtetasve drejt SHBA-së”.

Disa anëtarët të grupeve kriminale janë prangosur në vendet e BE-s, falë bashkëpunimit me Interpol Tiranë me homologët e saj.

“Gjithashtu, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Tirana dhe homologëve është bërë kapja dhe ekstradimi drejt Shqipërisë i disa personave shumë të kërkuar, pjesëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, persona të dënuar me burgim të përjetshëm dhe disa prej tyre me mbi 15 vjet burg për vrasje, si dhe janë kapur në Shqipëri për llogari të homologëve, gjithashtu persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore në vendet e tyre”.

Hajnaj pohoi se nga Janari deri në mes të shatorit janë ndaluar 1187 persona të shpallur në kërkim kombëtar, për vepra të ndryshme penale.

“77 persona të kërkuar për krime të rënda kundër personit dhe pronës, si vrasje, rrëmbim personi dhe shkatërrim të pronës me eksploziv.  100 persona për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike dhe 37 për trafiqe të paligjshme. 154 persona për krime në fushën e krimit ekonomik e financiar, si pastrim parash, korrupsion dhe krime kompjuterike. 110 persona për dhunë në familje, 709 persona për krime kundër personit, pronës dhe për krime mjedisore. Vlen të theksohet se falë bashkëpunimit me qytetarët, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar 259 persona të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, ndër ta edhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore”.

Vetëm një javë më parë, në Policinë e Shtetit u krijua njësinë speciale për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë që i fshihen drejtësisë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!