Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka zhvilluar një takim sot në Ohër me Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadoren amerikane në RMV, Angela Aggeler.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti u shpreh se me Escobar bisedoi për rëndësinë jetike për zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë.
Ahmeti i shprehu mirënjohjen Escobarit për rolin e SHBA në të gjitha proceset e paqebërjes dhe konsolidimit demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kënaqësi të takoja sot Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe Ambasadoren e SHBA në vendin tonë, znj. Angela Aggeler. Diskutuam mbi rëndësinë jetike të zgjidhjes së kontestit mes Kosovës dhe Serbisë për stabilitetin dhe ardhmërinë europiane të mbarë rajonit. Shpreha mirënjohje për rolin e jashtëzakonshëm të SHBA në të gjitha proceset e paqebërjes dhe konsolidimit demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkroi Ahmeti në Facebook.