Ahmetaj sqaron situatën brenda PS-së

schedule20:22 - 29 Maj, 2019

schedule 20:22 - 29 Maj, 2019

Deputeti, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se Partia Socialiste mezi po pret zgjedhjet e 30 qershorit, duke shuar kështu çdo zë që flet për ngritje tonesh brenda partisë mes tij dhe Taulant Ballës.

Ahmetaj theksoi se ai dhe Balla kanë debate çdo ditë për shkak të punës, por nuk mund të zihen për shkak të miqësisë personale dhe vjetërsisë që kanë në parti.

“Unë të zihem me Ballën është e pamundur edhe për arsyet e miqësisë personale që kemi, por edhe për arsye të vjetërsisë në institucione që kemi është e pamundur. Debate pune me Taulantin çdo ditë bëjmë. Por në historinë e PS-së, unë dhe Taulanti kemi shumë vite aty siç ka Erion Braçe, siç ka Damiani, siç ka Ditmir, siç ka Niko, siç ka Pandi, siç ka Gramozi dhe debatet midis nesh kanë qenë të shumta për çështje, debate për ligje, debate për fiskun. I bie që me Braçen mos të flas fare se kemi bërë debate pafund për fiskun. I bie që me Damianin mos të flas fare se kemi bërë debate për energjinë pafund. Situata brenda PS-së mezi presim zgjedhjet e 30 Qershorit”, tha ish-ministri.

Por për sa i përket zgjedhjeve të 30 Qershorit, Ahmetaj u shpreh se PS po bën fushatë modeste. Ai sqaroi në rubrikën “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori, arsyet se pse mazhoranca po e bën diçka të tillë.

“Po bëjmë fushatë modeste, për respekt të qytetarëve që nuk do kenë mundësi të votojnë për shkak se opozita nuk do i lerë në respekt të tyre. Po bëjmë një fushatë modeste në respekt të situatës për të mos provokuar askënd, por themi që ne po bëjmë një grass-rout. Po bëjmë një fushatë si milingonat, aty tek fijet e barit, në respekt të qetësisë së vendit, por edhe se nuk kemi kundërshtar. Qëllimi jonë është i trefishtë. E para dhe mbi të gjitha janë standardet”, tha ish-ministri Ahmetaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!