Qeveria ka gati një paketë prej 250 milionë eurosh për investime në jug të vendit. Këtë e bëri të ditur ministri i Financave dhe Ekonomisë në një bashkëbisedim me sipërmarrës në sektorin e turizmit.
Ritmet pozitive që po shfaq turizmi këtë sezon, sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vendosin biznesin që operon në këtë sektor përpara dy sfidave kryesore, rritjes së cilësisë së shërbimit dhe formalizimi.
“Brenda formalizimit të ekonomisë, unë patjetër i vë theksin gjithë përgjegjësive tatimore që kanë bizneset e zonës, por edhe detyrimin për të regjistruar punonjësit. Pjesa tjetër ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shërbimet që afrohen në territor nga sipërmarrjet tuaja, sidomos në një peridhë ku turizmi është kthyer në furnizuesin kryesor ekonomik të zonës. Thjesht për informacionin tuaj, këtë vit të gjitha shifrat tregojnë që turizmi është në një rritje me dy shifra, qoftë në aspektin e kontributit në ekonomi, qoftë në numrat e turizmit”.
Por sipërmarrësit në fushën e sektorit të shërbimeve dhe turizmit në Himarë dhe Dhërmi me të cilët ministri i Financave dhe Ekonomisë ndau këto të dhëna kërkuan më shumë investime në infrastrukturë, menaxhimin e mbetjeve dhe sistemimin e parkimeve. Paketa e ndërhyrjeve është bërë gati, iu tha Ahmetaj.
“Është një projekt shumë i madh rreth 74 milionë dollarë që vjen nga Banka Botërore, që po investohet në Unazën e Jugut, ku përfshihet gjithë kjo zonë. Projekti tjetër është projekti i Bankës Botërore, po me të njëjtën logjikë, por me këto rrugët që i quajmë rajonale, rrugë dytësore. Pra, jo rrugët kryesore, por rrugët dytësore. Ka dhe një projekt tjetër po në të njëjtën paketë, që është midis BERZH-it dhe Komisionit Europian, 60 milion euro është kredi dhe 40 milion euro është grant që na e jep Komisioni Europian po për të njëjtën gjë. Paketa e gjithë shkon tek 250 milionë euro”.
Ndërkohë sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë, qeveria po disktuon propozimin që nga viti i ardhshën bashkitë të kenë një fond parapërgatitor për turizmin./abcnews.al