Bashkitë duhet të shlyejnë të gjitha detyrimet e prapambetura në të kundërt qeveria do tu prekë transfertën e pakushtëzuar që është fondi i përcaktuar për cdo bashki nga kabineti i kryeministrit. Paralajmërimin e bëri ministri i financave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj në këshillin konsultativ për buxhetin e vitit 2019.
Nuk ka zgjedhur vetëm gjuhën e shifrave me përfaqësuesit e pushtetit vendor. Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Arben Ahmetaj, i kujton detyrat që duhet të bëjnë.
“Pushtetet vendore do të jenë të detyruar, që të përmirësojnë informacionin në platformë ditë pas dite e muaji pas muaji”.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Tjetra ka ngjyrën e ndëshkimit.
“Dhe nëse ndodh e kundërta, ata do të mbajnë përgjegjësi ligjore”.
Në Këshillin Konsultativ për buxhetin 2019 të pushtetit vendor, ministri Ahmetaj u tregoi se vëmendja e qeverisë është tek taksa e pronës. Pasi deri më sot janë 600 mijë prona të detajuara në Shqipëri, por qëllimi është që të identifikohen edhe 600 mijë të tjera, me qëllim regjistrimin dhe taksimin e drejtë mbi bazën e sipërfaqes.
“Në mënyrë që ju mos t’i taksoni kuturu, por të shkojnë tek qeliza dhe tek metri katror. Kjo do na ndihmojë për të regjistruar pronat dhe banesa”.
Ka ndryshuar edhe forma e mbledhjes së të ardhurave nga taksat. Nuk do të jetë më Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, por ata që ka përreth në këtë takim.
“OSHEE të mos jetë agjenti i mbledhjes, por ju të keni agjentët tuaj dhe instrumentet e taksës. Platforma e vlerësimit do të jetë unike”.
Me të njëjat tone i kujton bashkive të të shlyejnë detyrimet e prapambetura pasi nuk mund t’i faturohen qytetarëve dhe as qeverisë qendrore.
“Po ua them hapur në buxhetin e ri do fusim instrumentin që nëse nuk shlyhen detyrimet e prapambetura, qeveria i ka kërkuar parlamentit të prekë transfertën e pakushtëzuar”.
E duke iu rikthyer gjuhës që flet çdo ditë asaj të shifrave, ministri Arben Ahmetaj tha se buxheti 2019 mbështet rritjen ekonomike në masën 4.3%, krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe financon në një përmasë të plotë reformën në drejtësi./abcnews.al

