Investimet e huaja direkte po njohin rritje edhe këtë vit dhe pritet të arrijnë vlerën e rreth 1 miliard dollarëve për vitin 2018. Deklaratën Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj e bëri në mbledhjen e Këshillit të Investimeve.
Sukses e konsideron ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Këshillin e Investimeve dhe këtë e thotë edhe me gjuhën e shifrave.
“Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte shënuan vlerën e 284 milionë eurove, shifër kjo që rezulton me rritje vjetore prej 62% ose në nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit”.
Sipas ministrit Ahmetaj, investimet e huaja për vitin 2017 llogariten 907 milionë euro, krahasimi i ecurisë së këtyre investimeve të huaja të tremujorit të parë të këtij viti me atë të vitit të shkuar prodhojnë një shifër rekord për vendin tonë.
“Parashikojmë që këtë vit investimet e huaja të shkojnë në 1 miliard dollarë”.
Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve Tiranë, zëvendëspresidenti i BERZH-it deklaroi se në bashkëpunim me Bashkimin Evropian do të nisin një program investimesh prej 100 milionë eurosh në zonat turistike të Shqipërisë.
“Ne po përgatisim me qeverinë dhe Bashkimin Europian një program inovativ, i cili do të kombinojë paratë e BERZH dhe BE-së. Do të jetë një program i madh, rreth 100 milionë euro, për të ndërtuar rrugët lokale dhe ujësjellësat në zonat turistike. Por, programi parashikon gjithashtu financime edhe për bizneset e vogla të turizmit, si dhe financon mbrojtjen dhe reastaurimin e trashëgimnisë kulturore dhe asaj natyrore”.
Ky program do të jetë një financim i përzierë, ku gjysma e parave janë kredi të buta për qeverinë, ndërsa gjysma tjetër grante./abcnews.al

