Kreu i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, inspektoi doganën e Hanit të Hotit, ku falë një investimi 1.8 milionë eurosh qytetarët dhe mallrat do të mund të kalojnë më shpejt dhe më të sigurtë.
1.8 milionë euro është vlera e një investimi të financuar nga Komisioni Europian, i cili jo vetëm që i ndërron faqe doganës së Hanit të Hotit, por edhe i lehtëson punën tre insitucioneve të rëndësishme si Policia Kufitare, Drejtoria e Përgjithsme e Doganave dhe Agjensia e Kontrollit Ushqimor. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte në këtë doganë për të parë nga afër realizimin e projektit të investimit për terminalin e ri dhe godinë.
Ahmetaj: “Është një investim i Bashkimit Europian prej 1.8 milionë euro. Qëllimi është i drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet e punës, por këtu ka një specifikë, investimi sjell pikën e kalimit kufitar në nivelin e kushteve standarde të Schengenit dhe do të përdoret nga 3 institucione shumë të rëndësishme. Do të përdoret nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe nga Agjensia e Kontrollit Ushqimor. Sigurisht që jo vetëm që rrit, përmirëson, kushtet e punës por rrit edhe cilësinë e shërbimit ndaj sipërmarrjes, ndaj qytetarëve, përshpejton dhe lehtëson tregtinë ndërkufitare, është dhe pjesë e projektit të madh të lehtësimit të tregtisë rajonale dhe besoj që do të ketë efektet e drejtpërdrejta edhe në rritjen e të ardhurave, në transparencën e punës së 3 institucioneve Drejtoria e Policisë Kufitare, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjensia e Kontrollit Ushqimor, në raport me qytetarët dhe me sipërmarrjen”.
Hapësira e kufizuar dhe mungesa e korsive të mjaftueshme për përballimin e lartë të fluksit të transportit, kanë qenë një problematikë për këtë pikë kufitare, duke shkaktuar edhe vonesa për qytetarët dhe sipërmarrjen.
Projekti i ri do të mundësojë një kontroll kufitar më të shpejtë dhe të sigurtë në aksin kryesor midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, për trafikun kufitar dhe transportin e mallrave, përpunimin në kohë më të shkurtër të kamioneve me mallra dhe lehtësim të procedurave doganore./abcnews.al