Ahmetaj: Gjatë 2018-s rritja më e madhe ekonomike në rajon

schedule15:29 - 4 Janar, 2019

schedule 15:29 - 4 Janar, 2019

Një luginë të errët thotë se e gjeti ekonominë Arben Ahmetaj kur mori detyrën e ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë me largimin e tij nga ky post, Shqipëria renditet e para në rajon për rritjen ekonomike.

“Shikoni vitin 2013 që metaforikisht do ta quaja si luginë e errët e ekonomisë shqiptare me një rritje statistikore 1 përqind. Tre mujori i tretë i vitit 2018 është 4.5 përqind, që është më i larti në rajon. Borxhi publik është gati pak më pak se 10 përqind i ulët se dita që e kemi marrë. Unë personalisht këtë e kam krenari politike, profesionale, personale”, tha Ahmetaj.

 

Papunësia tre vitet e fundit sipas ministrit Ahmetaj ka arritur nivelin më të ulët historik 12.2%, punësimi është rritur me 10.7%, qytetarët konsumojnë më tepër. Panorama ekonomike thotë ministri i Financave dhe Ekonomisë në detyrë është edhe arsyeja e forcimit të Lekut.

 “Nga erdhi Euro, janë fondamentet ekonomike. Është rritur ekonomia. Është fuqizuar dhe sipërmarrja vendase, janë rritur eksportet, janë rritur shërbimet. Kjo është arsyeja pse është forcuar Leku”, tha ai.

Bashkë me bilancin e punës së tij Ahmetaj ndalet t’i përgjigjet edhe akuzave të opozitës. Qeveria sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë ka realizuar 1.2 miliardë dollarë më shumë të ardhura nga momenti që mori detyrën. Investimet e huaja dhe bizneset e hapura ishin dy fusha të tjera ku u ndal.

“Nëntë mujori i 2018-s është 757 milionë Euro. Viti 2018 do shënojë rekord, do kapë 1 miliard Euro investime të huaja. Jo po falimentuan, jo po nuk falimentuan është bërë një diskurs që qytetarëve iu vjen për të vjellë kur i dëgjojnë. Janë 11 mijë e 123 biznese të reja neto, në vitin 2018. Në tre vitet e fundit janë 38 mijë biznese të reja neto”, tha ai.

Arben Ahmetaj largohet nga detyra e ministrit të Financave dhe Ekonomisë ndërkohë që qeveria ndodhet përpara një beteje, atë të mbylljes së pikave të basteve kryesisht atyre online.

“Pjesa online është një betejë e vazhdueshme. Ne dje kemi mbyllur disa domeine dhe patjetër që do vazhdojë me krijimin e Task-forcës dixhitale anti-bast”, tha ministri.

Ministër apo deputet, Ahmetaj thotë se nuk do të lërë instrument pa përdorur për të mbështetur reformat e qeverisë, ndërsa me pasuesen e tij në krye të Financave dhe Ekonomise, Anila Denaj tregon se ecën në të njëjtën linjë.

“Jemi në goxha harmoni të sfidave që ka ministria, ekonomia dhe një kuptueshmëri shumë të plotë”, përfundoi Ahmetaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!