Ministri Ahmetaj ka vijuar raportimin në Komisionin e Ekonomisë ku po shqyrtohet buxheti për vitin e ardhshëm, me parashikimet për borxhin publik dhe defiçitin buxhetor të 2019-ës. Borxhi publik do të vijojë uljen si parashikohet në ligj, duke u shoqëruar me vijimin e investimeve sipas Ministrit të Financave.
Parashikimet për borxhin publik dhe defiçitin buxhetor për vitin 2019, janë më optimalet historike sipas deklaratave të ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i cili gjatë raportimit në kuadër të buxhetit të vitit të ardhshëm në komisionin e ekonomisë theksoi synimin e uljes së borxhit me 2 pikë % për vitin e ardhshëm dhe arritjen e shifrës 60% të PBB në fundin e mandatit në 2021-shin nga 69.1% që shënon sot.
“Një nga prioritetet kryesore të buxhetit të ardhshëm janë investimet publike, ndërkohë që reduktojmë borxhin me 2 pikë % njëkohësisht programojmë investime publike në nivelin 5% të PBB”.
5% i të ardhurave buxhetore është edhe tavani i vlerës së pagesave koncesionare për kontratat e partneritetit publik privat sipas ligjit, shifra e të cilave sot nuk llogaritet si pjesë e borxhit publik. I pyetur sa do të shkonte niveli i borxhit nëse pagesat ndaj PPP-ve do të përfshiheshin në të, Ahmetaj preferoi të mos jepte një shifër, por të referojë standartin europian dhe bindjen personale.
“Për PPP ato janë detyrime vjetore dhe janë të kontabilizuara si të tilla kjo është arsyeja pse kemi vendosur që pagesat e PPP nuk kalojnë 5% të totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës”. Stoku i detyrimeve të prapambetura është rreth 2.4 miliardë”.
Një krahasim të mandatit të parë të Rilindjes, ministri Ahmetaj e bëri me dy mandate të demokratëve.
“Në çdo vit të periudhës 2006 – 2013 nga 100 lekë borxh janë investuar 118 lekë ndërsa 2014-2017 nga 100 eke borxh janë investuar 195 lekë”.
Pas kësaj këshille që i dha mediave, Ahmetaj, synimit për arritjen e shifrës 65.5% të PBB për boxhin publik të 2017-ës, të shtyrë për vitin 2019, ia faturoi uljes së taksave, si dhe zerimit e përjashtimit të qytetarëve, apo sipërmarrjes nga tatimet, të gërshetuar me nevojën për investime. /abcnews.al