Padia e ish- drejtori të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), Agron Tufa kundrejt deputetit te partisë Socialiste Spartak Braho është pushuar.
Gjyqtari Sokol Pasho ka marrë vendim për të pushuar çështjen për shkak se kërkesa e bërë nga Agron Tufa në cilësine e viktimës akuzuese është e pavlefshme duke qene se nuk mban firmën e tij.
Sipas gjyqtarit Pasho kërkesa e depozituar në gjykatë duhet të ketë patjetër nënshkrimin prej viktimës akuzuese ose te mbrojtësit të zgjedhur prej tij. Gjithashtu gjykata ka konstatuar edhe një tjetër parregullsi pasi data e lëshimit të prokurës së posaçme nga ana e Tufës për avokatin e tij mban datën 18.04.2019, ndërsa kërkesa është dorëzuar në gjykatë më datë 04.12.2019 .
Togat e zeza vlerësojnë se Tufa ka qenë në pamundësi objektive për t’i lënë avokatit tagër të posacëm përfaqësimi për një fakt penal që nuk kishte ndodhur ende në kohën e lëshimit të prokurës.
Agron Tufa në kallëzimin ndaj Brahos për shpifje kishte kërkuar shumën prej 250 000 lekë si dëmshpërblim.
Spartak Braho u padit nga Agron Tufa me pretendimin se ka hedhur baltë ndaj tij duke e akuzuar për vjedhje fondesh, shpërdorim detyre dhe falsifikim të historisë. Tufa u largua nga vendi rreth një muaj më parë dhe ka kërkuar azil politik në Zvicër./abcnews.al