Agron Tufa nxjerr dokumente të tjera: Spartak Braho dënoi një 16 vjeçar me burg

schedule23:44 - 27 Dhjetor, 2019

schedule 23:44 - 27 Dhjetor, 2019

Ish-kreu i Institutit të Studimeve dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa ka publikuar dokumente, sipas të cilit deputeti aktual i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka dënuar në periudhën e diktaturës një minoren, i quajtur Gjergj Hani.

Sipas dokumentit të publikuar nga Tufa, i riu dënohet për tradhti ndaj atdheut.

Në dokument thuhet se Gjergj Hani, më 27 maj 1985, është nisur me tren në drejtim të Pogradecit me qëllim për t’u arratisur në Jugosllavi. Ai është përpjekur të kalojë me not nëpërmjet liqenit të Pogradecit, por është diktuar nga policia kufitare.

Tufa shkruan se Spartak Braho si xhelat i diktaturës nuk mund të japë këshilla dhe as të bëj moral.

“Epo kur të merr nëpër gojë një kriminel e xhelat i diktaturës më genocidiale në botë, si Spartak Braho; kur të merr nëpër gojë, të shpif e të kërcënon, të jep dhe këshilla si të shkruash, ai që të vetmen bukuri njeh shaptilografimin e formulit të vendimeve të tij me vdekje; kur përdor ironinë e të bën moral ai që ka dhënë dënime politike me vdekje; kur të akuzon për korrupsion, ai që sekuestroi serverin e tatimeve sapo erdhi në pushtet; kur të bën moral ai që ka dënuar politikisht minorenë, atëherë shkon idioma “Hapu dhé të futem!”
Sikur vetëm një sekondë ta imagjinoja veten “spartak”, në gjysmën e dytë të sekondës do ia kisha hequr rrufeshëm vetes në sheshin “Skënderbej”!
Njihuni me punët e ra të Spartakiadës: dosja e dënimit të minorenit Gjergj Hani.
Ish i dënuari Gjergj Hani (dhe tok me të dhe ne) e ka (kemi) xhelatin e tij (tonë) deputet në Komisionin e Ligjeve, që dmth, ai edhe sot “bën Ligjin”. Gjithë sa thamë është mirë të shoqërohet me këngën e Dervish Shaqes “O moj Shqypni o mos thuej se mbarova!“, shkruan Tufa.

Agron Tufa, Drejtori i dorëhequr i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, në fillim të dhjetorit kërkoi azil politik në një vend të Europës. Tufa e ka marrë këtë vendim pas kërcënimeve të shumta që ka marrë për shkak të detyrës. Aktualisht Tufa ndodhet në Zvicër së bashku me familjen e tij ndërsa ditët e fundit nuk  i ka kursyer akuzat e drejtpërdrejta ndaj Spartak Brahos.

Përplasja mës Tufës dhe Brahos nisi kur ky i fundit akuzoi Tufën se po nxinte historinë. Braho tha se Tufa, me punën e tij tek Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, po njollos historinë e luftës Nacional-Çlirimtare dhe heronjtë e saj.

Ndërsa Tufa asokohe iu përgjigj deklaratave të deputetit të PS-së, duke i bërë thirrje drejtësisë që të ndërhyjë për të parandaluar ndonjë tragjedi, pasi sipas tij, Spartak Braho ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!