Agresioni rus, Stoltenberg: Ukrainasve po u mbarojnë municionet, por jo guximi

schedule17:27 - 14 Mars, 2024

schedule 17:27 - 14 Mars, 2024

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të aleancës që t’i japin Kievit municione që i duhen aq shumë dhe pajisje ushtarake, teksa trupat ukrainase po përballen me sulme intensive ruse për më shumë se dy vjet që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës.

Duke folur në Bruksel më 14 mars, ku prezantoi raportin vjetor të aleancës për vitin 2023, Stoltenberg tha se përderisa aleatët e NATO-s kanë burime të nevojshme për të ndihmuar Ukrainën, tani është çështje e vendosmërisë politike të 32 anëtarëve të aleancës për të ndalur presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ndihma e paprecedent nga aleatët e NATO-s ka ndihmuar Ukrainën që të mbijetojë si shtet sovran, por Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje, dhe atyre iu duhet kjo ndihmë tani”, tha Stoltenberg.

“Ukrainasve nuk po u mbaron guximi, ata janë duke mbetur pa municione. Së bashku, ne kemi kapacitet për t’i ofruar Ukrainës atë që ka nevojë. Për këtë ne duhet të tregojmë vullnet politik. Të gjithë aleatët duhet të veprojnë shpejt sepse çdo vonesë ka pasoja të vërteta në fushëbetejën në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

Trupat ukrainase janë detyruar të racionojnë municionet e artilerisë në lindje, ku trupat ruse më herët gjatë këtij viti morën qytetin e Avdivkës dhe po vazhdojnë të shtyjnë përpara ofensivën e tyre.

Një paketë e madhe e ndihmës në vlerë prej 60 miliardë dollarësh ka mbetur e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ku shumicë janë republikanët, pavarësisht se në Senat fitoi mbështetjen e të dy partive.

Stoltenberg paralajmëroi se dështimi për të ndihmuar Ukrainën tani, teksa lufta ka hyrë në vitin e tretë, do të ishte një gabim me pasoja serioze për Perëndimin./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!