Agresioni në Ukrainë, SHBA sanksionojnë sërish Rusinë

schedule22:48 - 15 Mars, 2019

schedule 22:48 - 15 Mars, 2019

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar sërish Rusinë në lidhje me agresionin e saj ndaj Ukrainës. Sipas Departamentit të Thesarit, sanksionet janë vendosur në bashkëpunim me BE-në dhe Kanadanë, për t’i dhënë një mesazh të qartë Moskës.

Administrata amerikane ka sanksionuar të premten 6 individë rusë dhe 8 organizata në lidhje me agresionin e vazhdueshëm të Moskës në Ukrainë. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti i Thesarit, që saktëson se personat e sanksionuar kanë patur një rol kyç në sulmet e Rusisë ndaj anijeve ukrainase vitin e kaluar në detin e Zi, në aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe në mbështetjen e elementëve separatistë në zgjedhjet në lindje të Ukrainës. “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët europianë nuk do të lejojnë që agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë të kalojë pa u penalizuar”, ka deklaruar sekretari Stiven Mnushin. Sipas tij, ndërveprimi i koordinuar mes Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe Kanadasë përforcon zotimin për të ndëshkuar përpjekjet e Kremlinit për të shpërfillur normat ndërkombëtare dhe për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Mes personave të sanksionuar janë 4 zyrtarë rusë të përfshirë në bastisjen dhe sekuestrimin e dy anijeve ukrainase në brigjet e Krimesë. Ndërsa 6 nga 8 kompanitë e vëna në shënjestër akuzohen për përvetësim ilegal të aseteve të shtetit ukrainas dhe për mbështetje të ushtrisë ruse gjatë aneksimit të Krimesë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!