Agli Iliadhi: Futbolli ëndrra ime e madhe, dua të jem ndryshe nga të tjerat

schedule12:39 - 29 Qershor, 2020

schedule 12:39 - 29 Qershor, 2020

Agli Iliadhi ka 11 vite që luan futboll, fillimisht si amatore, ndërsa tani si profesioniste e klubit të Apolonisë ku aktivizohet rregullisht në çdo ndeshje. Ëndrrën që ka për të pasur një karrierë të shkëlqyer në fushën e sportit, ajo nuk dëshiron ta lërë në sirtar.

Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në “fshf.org”, 16-vjeçarja tregon dëshirat, sakrificat dhe synimet që ka për të ardhmen. Agli është pjesë e ekipit kombëtar për femra të U-17, ku shkëlqeu edhe me paraqitjen e saj në “UEFA DEVELOPMENT TOURNAMENT”, që u zhvillua në muajin shkurt të këtij viti në vendin tonë, aty ku Shqipëria doli në vendin e parë, duke fituar të tre ndeshjet. Ajo aktivizohet edhe me ekipin kombëtar të U-19.

FUTBOLLI – “Dëshira ime për futbollin ka lindur që kur kam qenë e vogël, pra që në moshën 5-vjeçare. Në fillim stërvitesha me një grup djemsh në lagje, më pas ndjeja se si çdo ditë e më shumë luaja me më shumë pasion dhe kuptoja se sa shumë e doja këtë lojë”.

Njeriu i parë që besoi tek unë? Babai im, ai ka qenë njeriu i parë që më ka afruar me futbollin. Duke qenë një njeri që vinte nga bota e sportit, pasi më parë ka luajtur dhe vetë futboll, ai ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua. Që në ditën e parë që kam prekur topin e futbollit me këmbë, ai më ka dhënë besim që unë të vazhdoj e të luaj këtë lojë.

PËRDITSHMËRIA – “Që prej 3 vitesh unë jam futbolliste e ekipit të Apolonisë së Fierit, ku stërvitem fort dhe punoj fort, jo vetëm në stërvitje, ku jap maksimumin tim, por edhe individualisht punoj shumë. Pushimi për mua nuk ekziston, pasi kam një ëndërr për të realizuar”.

SAKRIFICA E MADHE – “Të them gjithçka nuk do ta besonit, por unë realisht kam sakrifikuar gjithçka për këtë lojë. Futbolli ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë i pari për mua”.

OBJEKTIVAT – “Si çdo njeri tjetër, edhe unë kam synime për të ardhmen. Por, për momentin i vetmi synim që kam është të kem një karrierë të ndritur në fushën e futbollit. Nuk dua të jem si të tjerët, dua të jem ndryshe. Dua që të më shohin dhe të thonë: ‘Shikojeni atë, bëhu si Agli’. Dua që këtë pasion ta kthej në profesion dhe të mos lodhem kurrë nga kjo që po bëj. Ëndrra ime është të arrij të luaj jashtë Shqipërisë, në ligat e mëdha evropiane”.

MOTOJA – “Unë jam ende e vogël për vete, por kam mësuar se nëse duam që të realizojmë ëndrrat tona, duhet të vendosim paraprakisht qëllime. Pa qëllim nuk mund t’i realizojmë këto ëndrra. Pa punë dhe vullnet, nuk mund të ecim përpara. Unë jam mërzitur shumë herë, por nuk kam ndaluar, sepse e di që gjërat e mira duan kohë që të vijnë”.

IDHULLI – “Idhulli im është babai im, Roland Iliadhi”. /fshf.org