Gazetari Agim Baçi i ftuar në emisionin “Refleksione”, theksoi se humori është gjëja më serioze në botë ndërsa e qeshura është hyjnore. “Ka një fije të hollë që e ndan, humori është kaq human dhe kaq i këndshëm dhe kaq serioz sa arrin situata nga më të ndryshmet por ajo që mund ta kapërcejë këtë është tallja që është dehumane.
Se si mund të rrijë kaq afër tallja dhe e qeshura është natyra njerëzore që i ndan, është dashuria brenda nesh dhe qëllimi për të cilin ne komunikojmë dhe bëjmë humor.
Humori është gjëja më serioze në botë, që e bën njeriun të harrojë shpesh herë gjërat që nuk ka mundur dot t’i bëjë, të shikoj tjetrin më lehtësisht në sy, të arrij të korrigjojë vetveten. Autoironia është shërim dhe ato të cilët nuk e kuptojnë humorin, nuk e kuptojnë ironinë që të çon drejt buzëqeshjes, nuk do arrijnë të kuptojnë as letërsinë e nuk do arrijnë të kuptojnë as tjetrin përballë.
Mendoj që është i bekuar çdo kush që arrin edhe ta përdorë vetë por edhe të pranojë humorin si një nga ato metodat më shpirtërore, më të ëmbla që njeriu mund të ndërtojë në një komunikim, e qeshura është mrekulli, është ajo që e ndryshon njeriun dhe e bën edhe më të pranueshëm, e bën më njerëzor në të gjithë thelbin e tij” tha ai./ Abcnews.al