Aftësitë tuaja të orientimit, varen nga vendi ku jeni rritur

schedule21:13 - 25 Dhjetor, 2022

schedule 21:13 - 25 Dhjetor, 2022

Sipas një studimi të fundit, vendi ku rritet një person si fëmijë, ndikon ndjeshëm tek aftësitë e orientimit në moshë madhore. Kështu ata që janë rritur në qytete, kanë një perceptim më të dobët të orientimit, krahasuar me ata që kanë jetuar në zona rurale.

Dhe të kuptuarit e ndikimit të këtyre aftësive, mund të hedhë dritë edhe në diagnostikimin e sëmundjes së demencës. Studiuesit nga Franca, Gjermania, Zvicra dhe Britania e Madhe vlerësuan aftësitë e orientimit të rreth 400.000 njerëzve në 38 vende të botës, në një studim të fundit të botuar në revistën “Nature”.

Pjesëmarrësit në studim, u udhëzuan të luanin një lojë smartfon të njohur si ”Sea Hero Quest”. Studiuesit i kërkuan lojtarëve të mësonin përmendësh një hartë, përpara se të drejtonin një varkë virtuale nëpër pika të ndryshme kontrolli në një kohë sa më të shkurtër që të ishte e mundur.

Shkencëtarët gjurmuan dhe vlerësuan performancën, dhe më pas i pyetën pjesëmarrësit se ku ishin rritur. Studiuesit zbuluan se ata që ishin rritur në mjediset rurale, prireshin të orientoheshin më mirë. Po ashtu njerëzit e rritur në periferitë e qyteteve, shfaqën një performancë mesatare midis 2 grupeve.

Por përfundimet e studimit ndryshonin në vende të ndryshme. Kjo lidhje ishte i fortë në vende të tilla si Argjentina, Britania dhe SHBA-ja, dhe më e dobët diku tjetër. “Për shembull ka vende si Hungaria, ku nuk ka ndonjë ndryshim real, por ku ruhet tendenca  mesatare-“ thotë autori i studimit Hugo Spirs, profesor i neuroshkencës konjitive në departamentin e psikologjisë eksperimentale në Kolegjin Universitar të Londrës.

“Unë jam i magjepsur nga mënyra sesi truri ndërton imazhe të një qyteti apo peizazhi të tërë, dhe më pas e përdor atë”- shton Spiers. Kur panë më nga afër strukturën e qytetit, Spiers dhe kolegët e tij zbuluan edhe tendenca të tjera. Kështu njerëzit që ishin rritur në qytete me sisteme të thjeshta, siç janë metropolet klasike në Amerikës së Veriut, ishin më pak të aftë për të luajtur lojën “Sea Hero Quest”.

Ndërkohë, ata që e kishin kaluan fëmijërinë e tyre në qytete më të ndërlikuara me sisteme rrugore që janë më të vështira për t’u parashikuar, si ato në Evropë, kanë një ndjenjë më të mirë orientimi. Ata arritën në përfundimin se sa më shumë që një fëmijë është i ekspozuar ndaj rastësisë gjeografike, aq më mirë do të orientohet ai në moshë madhore.

Në planin afatgjatë, Spiers shpreson t’i përdorë kërkimin e tij për të ndihmuar në diagnostikimin e sëmundjes së demencës. Studimet kanë treguar se një ndjenjë e reduktuar e orientimit karakterizon sëmundje të tilla si Alzheimeri. Dihet tashmë se kjo ndjesi dobësohet me kalimin e moshës.

Kur Spiers dhe kolegët e tij analizuan performancën e pjesëmarrësve ruralë dhe pjesëmarrësve urbanë sipas grupmoshës së tyre, vunë re se dallimet ishin të mëdha.

Për shembull, një grua 60-vjeçare e lindur dhe rritur në një qytet, ka pothuajse të njëjtat aftësi orientimi si ato të një 70-vjeçare që është rritur në fshat.

“Kjo është një diferencë e madhe”- thotë Spiers. Lidhja midis moshës dhe ndjenjës së orientimit nuk është ende e qartë. Por Spiers thotë se ndoshta njeriu kur është fëmijë ose adoleshent, nis të eksplorojë në mënyrë të pavarur vendet jashtë shtëpisë pa mbikëqyrjen e të rriturve. /Discover Magazine/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!