Afron votimi për Brexit, Britania në ethe

schedule23:06 - 11 Janar, 2019

schedule 23:06 - 11 Janar, 2019

Afrimi i datës së votimit për Brexit ka futur në ethe mbarë Britaninë. Në një lëvizje të fundit, ministrat rebelë të kabinetit të Theresa May i kanë kërkuar asaj të shtyjë datën e daljes nga BE-ja, duke paralajmëruar se në rast të kundërt Mbretëria e Bashkuar do të përfshihet nga paraliza.

Konservatorët rebelë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë bërë thirrje kryeministres që ta shtyjë daljen nga BE-ja të parashikuar më 29 mars nëse marrëveshja që ajo ka arritur me Brukselin do të refuzohet nga ligjvënësit javën e ardhshme. Deputeti Dominik Griv, i cili mbështet mbajtjen e një referendumi të dytë mbi Brexit, ka deklaruar se kryeministrja May mund ta heqë datën e 29 marsit nga legjislacioni britanik dhe t’i kërkojë më shumë kohë BE-së.

Ministrat e kabinetit të May që kundërshtojnë largimin nga Unioni pa një marrëveshje kanë deklaruar se do të japin dorëheqjen nëse kryeministrja refuzon të bëjë një gjë të tillë. Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar do të përfshihet nga një paralizë e fortë nëse marrëveshja aktuale mes Londrës dhe Brukselit refuzohet.

Por duke reaguar, zëdhënësi i May ka deklaruar se, qeveria nuk do ta ndryshojë mekanizmin ligjor që nxjerr Britaninë nga Bashkimi Europian më 29 mars. Sipas BBC, gjasat më të mëdha janë që marrëveshja e tërheqjes të dështojë në votimin që do të mbahet të martën e ardhshme në Dhomën e Përfaqësuesve, në një kohë kur mbi 100 deputetë të mazhorancës konservatore e kundërshtojnë atë.

Ministri i Jashtëm Jeremy Hunt ka paralajmëruar se shanset që Brexit të mos realizohet janë rritur, pas sinjaleve të dhëna nga Parlamenti se nuk do të lejojë një largim pa marrëveshje nga BE-ja. Kjo, ka theksuar Hunt, do të sjellë një thyerje të rëndë të besimit brenda në Mbretërinë e Bashkuar dhe dëmtimin e reputacionit të saj jashtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!