Pjesa më e madhe e emigrantëve pjesë e flukseve të fundit të zbarkimeve në Europë, vijnë nga vendet afrikane. Vende që nuk janë vatra lufte, e për këtë arsye emigrimi i tyre është për arsye ekonomike. Qeveritë e disa prej vendeve afrikane kanë ndërmarrë fushata sensiblizimi dhe informimi për të ndaluar fenomenin në fjalë.
Duke bërë një dallim nga Libia, e cila ka rregullat dhe problemet e saj, fenomeni i fluksit të emigrantëve mund të luftohet falë bashkëpunimin me vendet në kufi me të si Sudani, Nigeria dhe Çadi. Është ky mendimi i ekspertëve të këtij fenomeni, të cilët konfirmojnë se pjesa më e madhe e emigrantëve të zbarkuar kohët e fundit në Europë vijnë nga vendet afrikane.
Ata janë të grup moshës 18–30 vjeç dhe në shumë pak raste ka familjarë. Një nga arsyet kryesore të emigrimit janë kushtet ekonomike, si dhe ofertat apo propaganda e skafistëve, të cilët sipas të dhënave më të fundit nga shoqatat jofitimprurëse, mund të kenë përfituar më shumë se 50 miliardë dollarë në dy vitet e fundit si pasojë e trafikut të qënieve njerëzore.
Sipas autoriteteve italiane, problem kryesor në vend përfaqësohet nga emigrantë të dy nënshtetësive ata nga Eritrea dhe nigerianët. Vende që konsiderohen se i ushqejnë këto flukse emigracioni, e që për momentin nuk janë në luftë civile apo protagonistë të ndonjë fenomeni të jashtëzakonshëm.
Por kufizimi i informimit në këto vende nuk paraqet për këta emigrantë një kornizë reale të asaj që i pret në këtë udhëtim shprese për një jetë më të mirë.
Për këtë arsye, qeveri të ndryshme afrikane kanë ndërmarrë fushata sensibilizimi dhe informimi në mënyrë që të ndërgjegjësojë ata që kanë ndërmend të nisin këtë udhëtim, se ka rreziqe reale dhe se në fund ata do të riatdhetësohen sërish./abcnews.al

