Afrikë e Jugut, rritet bilanci i viktimave të ciklonit “IDAI”

schedule13:41 - 24 Mars, 2019

schedule 13:41 - 24 Mars, 2019

Në Afrikën jugore vijon të rëndohet bilanci i viktimave të ciklonit “IDAI”. Sipas të dhënave të fundit numri i të vdekurve ka arritur mbi 760, por do të duhet të pritet qetësimi i situatës për një bilanc më të saktë. Ndërkohë, rreth 1.7 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Bilanci zyrtar i viktimave të ciklonit “IDAI”, që rrafshoi Afrikën jugore më shumë se një javë më parë u rrit ndjeshëm ditën e shtunë, kur autoritetet raportuan raste të reja vdekjesh. Kështu, numri i personave të shpallur të vdekur në Mozambik u rrit nga 242 në 446, ndërkohë që në Zimbabve e Malaui të vdekurit llogariten përkatësisht 259 dhe 56.

Sipas autoriteteve, shifra ka gjasa të rritet më tej, por OKB do të mund të dalë me një kuotë përfundimtare vetëm pasi ujërat të jenë tërhequr. Zyra e OKB për çështjet humanitare bëri me dije se lumenjtë Buzi dhe Zambezi rrezikojnë të dalin sërish nga shtrati dhe të shkaktojnë përmbytje masive.

“Do na duhet të presim derisa ujërat të tërhiqen që të kemi një bilanc më të saktë të viktimave”, ka deklaruar një koordinator i Kombeve të Bashkuara.

Në Mozambik, vendi më i prekur nga katastrofa natyrore, disa mijëra banorë vazhdojnë të mbeten të bllokuar nga përmbytjet dhe shumë prej qendrave të pritjes të ngritura nga shërbimet e emergjencave vetëm në orët e fundit kanë mundur të marrin furnizime me ndihma.

Në tërësi, rreth 1.7 milionë njerëz thuhet të jenë prekur nga cikloni në mbarë Afrikën jugore, një pjesë e të cilës ka mbetur pa elektricitet dhe ujë të pijshëm e ku shtëpitë dhe rrugët janë shkatërruar nga ujërat./abcnews.al