Afganët në Shqipëri, Basha: Kemi të drejta dhe detyrime si anëtarë të NATO-s

schedule11:55 - 15 Gusht, 2021

schedule 11:55 - 15 Gusht, 2021

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me ardhjen e afganëve në vendin tonë, ku thekon se kemi detyrime ndaj NATO-s.

Kryedemokrati përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruan se Shqipëria nga të drejtat që zotëron lindin dhe detyrimet dhe përgjegjësitë  për të qëndruar pranë SHBA-së.

Ndër të tjera ai deklaron se empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë.

Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë.

Rreziqet mbi identitetin tonë kombëtar, si pasojë e shpopullimit të Shqipërisë, nuk lindin si pasojë e zgjidhjeve strategjike në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA, por për shkak të keqqeverisjes së pakicës që e ka bërë vendin të pajetueshëm për qytetarët. Siç është detyra jonë të jemi në lartësinë e angazhimeve ndërkombëtare, është po ashtu detyra jonë të jemi në lartësinë e sfidave që ka Shqipëria, për të patur një qeveri që punon për njerëzit dhe mbështet aspiratat e tyre për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie në Shqipëri“, shkruan Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!