Afera e Sarandës në “Vetting”, si u grabitën lulishtet

schedule20:10 - 12 Janar, 2021

schedule 20:10 - 12 Janar, 2021

Më 22 maj të vitit 2019, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për bashkërendimin e punës mes bashkive dhe kadastrave, për regjistrimin e trojeve të dhëna për ndërtim. Objekt i vendimit ishin trojet shtetërore të përcaktuara për ndërtim nga bashkitë, ish-komunat dhe ish-këshillat e rretheve gjatë më shumë se 20 viteve, nga 10 gushti I vitit 1991, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 24/2012, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”.

Qëllimi tjetër i kësaj VKM-je ishte edhe rregullimi i marrëdhënieve juridike të pronësisë mbi këto troje, për efekt të regjistrimit të tyre. Ishte një vendim i shumëpritur për pjesën dërrmuese të qytetarëve, sidomos në zonat bregdetare. Pas dy dekadash, më në fund ata do të mund ta regjistronin pronën e tyre. Vendimi i qeverisë do të ndihmonte edhe vetë institucionet shtetërore, pasi do të krijohej një hartë e saktë me kufijtë e pronave shtetërore dhe destinacionet e përdorimit të tyre, nëse ishin lulishte, troje apo ishin caktuar për shërbime të tjera.

Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon me sipërmarrjen juridike, pasi supozohej se ligji do të prodhonte një procedure, sipas së cilës i jepej fund sorollatjes së qytetarëve të cilët mund të kishin një vendim se e zotëronin një prone, por nuk mund ta regjistronin dot në kadastër, me qëllim zhvillimin e saj. Por, diçka shkoi keq pas hyrjes në fuqi të VKM-së në fjalë dhe si gjithmonë, edhe pse problemet u krijuan nga institucionet shqiptare, dëmet nuk i shkaktuan atyre, por qytetarëve.

Përmes rasteve konkrete dhe dokumenteve zyrtare, do të tregojmë se si janë shfrytëzuar hapësirat ligjore që lejon vendimi në fjalë i Këshillit të Ministrave me numër 329 i viti 2019, për të grabitur prona shtetërore nga privatët. Me anë të dokumenteve të falsifikuara, kadastra ka regjistruar pronat duke u fshehur pas procedurave, në shkelje të plotë të ligjit. Për ta faktuar këtë, kemi udhëtuar drejt Sarandës, një ndër qytetet me problematikat më të mëdha që lindën pas miratimit të kësaj VKM-je, që supozohej se do të zgjidhte njëherë e mirë problemin e trojeve të dhëna për ndërtim nga bashkia në vitin 2000.

Kur hyri në fuqi ky vendim, kryetari i bashkisë Sarandë Adrian Gurma, ish-kreu i kadastrës Ardian Kola si dhe deputeti socialist Alket Hyseni, thanë se ishte një lajm shumë i mirë për Sarandën, e se do të zgjidhte përfundimisht problematikën. Herë pas here, këta zyrtarë, me anë të postimeve në rrjetet sociale premtonin mrekullinë për mijëra sarandiotë.

Por çfarë ka ndodhur në terren?

Kjo është një pronë prej 1200 metrash katrorë, e cila 19 vite më pare, nga këshilli bashkiak është përcaktuar si lulishte që do t’i shërbente qytetarëve në zonën Turizëm – Kanali i Cukës. Por çudia ndodhi pas miratimit të VKM-së në vitin 2019. Papritmas asaj i dolën pronarët dhe u privatizua nga dy qytetarë. Ata pretendojnë se janë trajtuar me këtë sipërfaqe nga Këshilli Bashkiak i Sarandës që në vitin 2000.

Por tre qytetarë të tjerë të Sarandës vendosën ta denoncojnë në rrugë institucionale këtë privatizim, si një rast të grabitjes së pronës publike. Prokuroria nisi hetimet për çështjen, ndërkohë që prona kaloi në statusin e kufizuar dhe nuk mund të tjetërsohet deri në përfundim të hetimeve. Do të tregojmë, se si kjo pronë u regjistrua në kadastrën e Sarandës me anë të dokumenteve, të cilat janë dukshëm të falsifikuar.

Në 15 korrik të 2020-s, me anë të avokatit Flamur Lazaj, tre qytetarët i kërkojnë bashkisë së Sarandës të konfirmojë, nëse Armandi Nelaj dhe Trashëgim Iliazi janë trajtuar ndonjëherë me troje ndërtimi. Fakti i parë që u kërkua, ishte nëse këshilli bashkiak i qytetit, në vitin 2000 ka miratuar parcelat 164/1 dhe 165/1 në bllokun H-6 të zonës Turizëm-Kanali i Çukës, për dy personat në fjalë.

Gjithashtu u kërkua konfirmim, nëse bashkia ka lidhur kontratë për shitje trualli me këta persona dhe a janë arkivuar kontratat? Së fundi a kishte studim urbanistik të zonës në vitin 1999, kur janë  emërtuar parcelat me këto numra. Nëse ato nuk ekzistojnë në këtë studim, atëherë si është miratuar kjo sipërfaqe? Bashkia e qytetit nuk ka vonuar dhe më 28 korrik të vitit të kaluar, i ka kthyer avokatit një përgjigje, e cila do të do të mjaftonte për të ndalur masakrën që po ndodh në pjesën më të lakmuar të bregdetit të Sarandës.

“Për Armandi Nelajn dhe Trashëgim Iliazin ju informojmë se nga verifikimet e kryera parcela 164/1 , blloku H-6 dhe parcela 165/1, blloku H-6 nuk rezulton të jenë trajtuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak numër 13 datë 25.07.2000. Gjithashtu ju bëjmë me dije se nga verifikimet e kryera në arkivën e institucionit nuk ekziston kontratë shitje trualli numër 2814 Rep, numër 2384 Kol datë 24.06.2002 dhe kontratë shitje trualli numër 288 rep, numer 208 Kol datë 30.08.2001. Në studimin Urbanistik të Zonës Hotel Turizëm-kanali i Çukës miratuar me vendimin numër 3 datë 19.02.1999 të KRRTRSH-së nuk ekzitojnë parcelat me numërat 164/1 dhe 165/1 në bllokun H-6”.

Përgjigja e bashkisë është shteruese, duke mos lënë vend për asnjë dyshim, e duke sqaruar se Armandi Nelaj dhe Trashëgim Iliazi nuk janë trajtuar nga këshilli bashkiak në vitin 2000. Nga verifikimet e kryera në arkivën e institucionit nuk ekziston që të kenë një kontratë. Në rastin më të mire, mund të pretendohet se kjo është një mosmarrëveshje mes dy institucioneve, por në rastin më të keq, të dy institucionet mund të jenë palë me grabitjen e pronës publike, prej mosveprimit të këtyre institucioneve. Do t’i verifikojmë të dyja veprimet që kanë ndjekur në këtë rast institucionet.

Pas shumë përpjekjesh nga televizioni ABC, kadastra e Sarandës vendosi të shprehet për këtë rast. Nëndrejtoresha e këtij institucioni Rovena Alikaj na shpjegon se sipas VKM-së, ata kanë kërkuar informacion për këtë pronë në bashki, por kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje brenda 30 ditësh siç e kërkon VKM-ja. Në këto kushte, thotë zonja Aliko, është vendosur të vazhdojë procedura e regjistrimit të pronës.

“Ne në  momentin që bëjmë një regjistrim të aktit të shit blerjes nga bashkia veprojmë të bazë të VKM-së 329, dokumentacionin e paraqet qytetari, pasi këto janë kontrata të lidhura më përpara. Ne kërkojmë konfirmim brenda muajit, nëse bashkia nuk na e konfirmon dokumentacionin ne veprojmë me dokumentet që ka sjellë qytetari, që kanë qenë të plota,  me vendim, kontratë dhe planimetri. Në momentin që bashkia nuk kthen përgjigje vazhdohet procedura me dokumentet që ka qytetari” tha Rovena Alikaj, zv/drejtoreshë e kadastrës së Sarandës.

Pas ankesës së qytetarëve, Alikaj shpjegon se institucioni ka kërkuar sërish informacion. Përgjigja e bashkisë ishte, se dosja është sekuestruar nga prokuroria dhe nuk ka asnjë dokument. Alikaj justifikohet duke na sqaruar, se kadastra nuk ka detyrë të konfirmojë nëse dokumetet janë false apo jo, por vetëm nëse janë të plota dhe në formën e duhur.

“Pasi është bërë ankesa, kemi rikërkuar rikonfirmim pranë bashkisë Sarandë. Në momentin që nuk vjen brenda muajit vazhdon procedura e regjistrimit. Regjistrimi u bë pasi nuk u kthye përgjigja në kohë. Pasi u bë ankesat rikërkuam prapë konfirmim nga bashkia, për të na vendosur në dispozicion një kopje të kontratës, por na kanë thënë se dokumentacioni është i sekuestruar nga prokuroria. Ne jemi institucion që regjistrojmë titujt e pronësisë, ne verifikojmë me elementët e formës, kjo është detyra jonë” tha Rovena Alikaj, zv/drejtoreshë e kadastrës së Sarandës.

Pas këtyre përgjigjeve, iu drejtuam bashkisë së Sarandës për të kërkuar informacion në lidhje me këto pretendime. Me anë të një shkrese, ky institucion hedh poshtë pretendimin e zonjës Alikaj, se është kërkuar informacion për pronën në bashki.

“Nga Kadastra e Sarandës nuk është kërkuar asnjëherë informacion me anë të shkresave zyrtare pranë Bashkisë Sarandë në lidhje me ekzistencën e dy kontratave për sipërfaqen 1200 metra katrorë, përpara regjistrimit të këtyre pronave nga ana e Kadastrës së Sarandës”. Bashkia pretendon, se e vetmja korrespondencë me kadastrën për pronën në fjalë, është ajo e datës 6 tetor 2020, ku drejtoresha e re e kadastrës Kozeta Statha kërkon informacion për dy parcelat. Më 22 tetor, bashkia rikonfirmon se Armandi Nelaj dhe Trashëgim Iliazi nuk janë trajtuar nga vendimi i këshillit bashkiak me troje. Kjo korrespondencë është bërë pas regjistrimit të pronës, ndërsa regjistrimi i pronës është bërë me firmë të Ardian Kolës, i cili dha dorëheqjen në kohën kur qytetarët bënë denoncimin.

Pas kërkimeve në arkivë, zyrtarët e bashkisë konfirmojnë se nuk është gjetur asnjë nga kontratat apo dokumentet, të cilat kadastra ka përdorur për regjistrimit e pronës. Numri 2 i kadastrës së Sarandës thotë, se para se të regjistrohet prona, Kadastra ka komunikuar me bashkinë. “Në momentin që është bërë regjistrimi nuk ka ardhur konfirmimi dhe kemi vepruar në bazë të VKM-së” tha Rovena Alikaj, zv/drejtoreshë e kadastrës së Sarandës.

Bashkia pretendon se kjo është kërkesa, e cila ka shkuar në zyrën e saj para se të regjistrohej prona ku kadastra kërkon informacion për dy parcelat. Por siç shihet, ajo nuk është në formën e duhur ligjore, pasi nuk mban vulën e institucionit, i cili atëherë drejtohej nga Ardian Kola. Në këto kushte, bashkia e ka kthyer pas kërkesën për ta plotësuar, pasi nuk mund të protokollohej për mungesë të disa elementëve që e bëjne të vlefshme. Por, nga bashkia nuk na u vu në dispozicion ndonjë dokument që të vërtetonte se shkresa ishte kthyer pas.

Kërkuam informacion shtesë nga drejtoria qendrore e kadastrës, e cila vuri në dispozicioni kërkesën e kadastrës së Sarandës drejtuar bashkisë, për lulishten në fjalë. Na u vu në dispozicion kërkesa për konfirmim dokumentacion për Anastas Iliadhin, i cili njihet edhe si Trashëgim Iliazi. Shkresa mban datën 22 nëntor 2019 dhe është me firmë dhe vulë nga  drejtori. Madje na u vu në dispozicion edhe protokolli i institucionit, ku konfirmohet që posta e ka marrë për ta dërguar drejt bashkisë. Edhe shkresa tejtër për Armandi Nelaj është e saktë dhe në formën e duhur ligjore, dhe mban datën 26 nëntor 2019.

I kërkuam sërish informacion bashkisë së Sarandës për të sqaruar pozicionin e saj në lidhje me këto fakte, por deri në momentin që ky emision u vendos të transmetohej nuk patëm një përgjigje. Bashkia u përpoq që të na shmangë, duke na dhënë një informacion të pasakatë. Për këtë çështje do të vendosë prokuroria, por përgjigja drejt kadastrës është vonuar më tepër se afati 30 ditor, dhe në këtë mënyrë I është hapur rrugë regjistrimit të pronës.

Kadastra qendrore, në gusht të vitit 2020, ka bërë një audit në drejtorinë e Sarandës, ku ka konstatuar parregullsi në regjistrimin e pronave në këtë qytet. Pjesë e konstatimit është edhe rasti në fjalë.

Zyra qëndrore e kadastrës ka bërë një kallëzim në prokurori, duke dorëzuar edhe akt-kontrollin, ku gjithsej renditen 18 raste si të parregullta. Në dokumentin e kadastrës përmenden edhe emrat e punonjësve, ndër ta ish-drejtori i kadastrës në Sarandë Ardian Kola, drejtoresha aktuale Kozeta Statha, zëvendësja e saj Rovena Alikaj si dhe një sërë punonjësish të tjerë. Është e paqartë, se si drejtoria qendrore nuk ka marrë një hetim administrativ për këta punonjës, për të marrë dhe masat e duhura, por është mjaftuar vetëm me një kallëzim në prokurori, ku nuk referohet as vepra penale që dyshohet se kanë kryer punonjësit. Vazhdojmë të analizojmë dokumentet e tjera që janë përdorur për regjistrimin e kësaj prone. Kontrata noteriale për shitjen e truallit, mes bashkisë dhe Trashëgim Iliazit pretendohet se është bërë më 30 gusht 2001 nga noteri Shkëlqim Haxhi.

Po në të njëjtën ditë, ky person lidh një tjetër kontratë për të njëjtën sipërfaqe, por numrat e identifikimit te dokumenteve REP dhe KOL ndryshojnë, ndërsa Armandi Nelaj e ka lidhur kontratën me bashkinë më 24 qershor 2002, tek i njëjti noter Shkëlqim Haxhi. Ky i fundit nuk e ushtron më aktivitetin prej disa vitesh, për shkak se është dënuar për falsifikim dokumentesh. Kontaktuam me noterin Shkëlqim Haxhi i cili refuzon të shfaqet në kamera, por na konfirmoi se ato nuk janë kontrata të lidhura nga ai në kohën kur ishte noter. Sipas tij, janë disa elementë që e vërtetojnë këtë, siç është vula, e cila nuk ka inicialet e babait të tij.

Gjithashtu, këto kontrata duket se janë shkruar me kompjuter, ndërsa në vitin 2001 noteri thotë se punonte me makinë shkrimi. Një tjetër problem, që duket se e kanë këto kontrata është edhe mungesa e numrit të faqeve, lidhja e tyre me vulë, mungesa e nënshkrimit me emër dhe mbiemër me shkrime dore, si dhe atësia e palëve. Të gjithë këta elementë të domosdoshëm mungojnë në kontratën që pretendohet se është lidhur në vitet 2001 dhe 2002 për parcelat 164/1 dhe 165/1, por që sipas bashkisë, nuk ekzitojnë në arkivën e saj.

Dhe çuditë nuk mbyllen me kontratat noteriale. Një tjetër noter në Sarandë, Aleko Anagnosti, ka bërë një vërtetim fotokopje më 19 nëntor 2019. Për këtë, Trashëgim Iliazi, i cili njihet edhe me emrin Anastas Iljadhi, ka paraqitur fotokopjen e kontratës së shitjes së truallit. Në fund të kontratës, noteri shkruan se pasi bëri krahasimin e fotokopjes me origjinalin ka konstatuar që janë të njëjta. Por, në fillim të vërtetimit noteri shkruan se atij i është paraqitur fotokopja dhe jo origjinali. Ndërsa Armandi Nelaj ka bërë vërtetim fotokopje tek noteri Erdit Musai, i cili ka paraqitur dokumentin origjinal, gjithsej 6 dokumente, ndër ta dhe mandati i pagesës të vitit 2002.

Ky është mandati i pagesës prej 360 mijë lekësh, që Trashëgim Iliazi ka paguar në 30 gusht 2001 në Bankën e Kursimeve për truallin që e pretendon. Sapo e sheh këtë dokument, vëren se pagesa është kryer nga Iliazi, por në fund është firmosur nga Armandi Nelaj. Ndërsa ky dokument, është mandati i pagesës së bërë për gjysmën tjetër të pronës. Në pamje të parë duket me i saktë, pasi pagesa dhe firmosja është bërë nga i njëjti person, Armandi Nelaj. Pas denocimit të tre qytetarëve për grabitjen e pronës publike, Bashkia e Sarandës i ka bërë një kërkesë thesarit të shtetit për të konfirmuar këto dy mandate pagesash. Përgjigja e sjellë nga ky institucion do të mjaftonte për të hedhur dritë mbi falsifikimet e dokumentacionit, me anë të të cilit po ndodh grabitja e truallit në lulishten e qytetit.

Siç shihet në kthimin e përgjigjes, konfirmohet se asnjë nga transaksionet e pretenduar nuk figuron në llogarinë e Thesarit të Shtetit në datat 30 gusht 2001 dhe 24 qershor 2002. Për veprimet e noterëve, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar informacion tek ata me ane të një shkrese që mban datën 17 dhjetor 2020, pasi televizioni ABC i nisi një kërkesë për informacion. Gjithsesi, ende nuk ka një masë për noteren, edhe pse denoncimi në ministri nga qytetarët është bërë që verën e kaluar.

Do të mjaftonin këto pasaktësi në dokumentacion, që kadastra e qytetit të Sarandës të mos e regjistronte pronën dhe të kërkonte informacion në rrugën e duhur pranë institucionit të bashkisë. Të paktën në tre raste kur informacioni është kërkuar në rrugën e duhur, është shprehur se personat që e pretendojnë pronën nuk janë trajtuar në këshillin bashkiak në vitin 2000 dhe se parcelat me numër 164/1 dhe 165/1 nuk ekzitojnë. Qytetarët që bënë denoncimin, televizioni ABC dhe drejtoresha e re e kadastrës morën një përgjigje shteruese nga bashkia. Vetëm ish-drejtori i kadastrës Ardian Kola nuk arriti ta bëjë këtë.

Vetting ka arritur të sigurojë dhe një tjetër dokument, i cili pretendohet nga Armandi Nelaj se është vendimi për dhënien e sheshit të ndërtimit nga bashkia Sarandë. Një dokument, i cili është pa datë dhe pa numër protokolli. Për kadastrën ky nuk ka përbërë problem dhe ka vazhduar procedurën e regjistrimit të pronës. Mungon data e afatit për dorëzimin e dokumentacionit nga ana e Nelajt. Si rregull, në fund të shkresës shënohet data dhe vendi, por këto të dhëna nuk janë plotësuar.

Figuron vetëm viti 1999, ndonëse edhe ky vit rezulton të jetë jo i saktë, pasi vendimi i këshilli bashkiak është i vitit 2000. Sipas këtij dokumenti, i cili pretendohet se ka dalë nga bashkia e Sarandës, vendimi është marrë përpara se këshilli bashkiak të vendoste për t’i shpërndarë këto troje. Të njëjtat probleme ka edhe vendimi për dhënien e sheshit të ndërtimit për Trashëgim Iliazin, por as kjo nuk i ka mjaftuar kadastrës së Sarandës për të mos e regjistruar këtë pronë, duke mos kryer verifikimet ligjore.

Lulishtja prej 1200 metrash katrore nuk është e vetmja që po i grabitet bashkisë së qytetit. Me të njëjtën skemë, në të njëjtën zone, po tentohet të grabitën 4200 metra katrorë, e cila me vendim të këshillit bashkiak të vitit 2000 është lulishte. Është lulishtja në vijën e parë dhe ndodhet afër bregut të detit, një tokë mjaft e lakmuar.  Qytetarët i janë drejtuar kadastrës së qytetit për të verifikuar destinacionin e kësaj sipërfaqeje. Do të tregojmë me anë të dokumenteve se si brenda 5 ditësh, drejtuesja e kadastrës së Sarandës ka dy përgjigje ku shprehet se kush e ka pronësinë e këtyre sipërfaqeve. Në datën 7 tetor ajo i kthen përgjigje qytetarëve, se kjo pronë i takon shtetit dhe konkretisht bashkisë së qytetit Sarandë. Por 5 ditë më vonë, Kozeta Statha në një tjetër përgjigje, sqaron se këto parcela i takojnë katër personave, të cilët janë trajtuar në vitin 2000 me troje.

Qytetarët kanë kërkuar informacion edhe tek bashkia e qytetit për këtë pronë, nëse këta katër persona janë trajtuar ndonjëherë nga ky institucion për t’i dhënë troje ndërtimi. Kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël e skandalit që po ndodh me pronat publike ne Sarandë, por nuk ka dyshimin më të vogël, se ky është një fenomen që po ndodh masivisht jo vetëm në këtë qytet, por edhe në qytete të tjera. Fakt është që kadastra fshihet pas procedurave dhe afateve kohore, duke legjitimuar në këtë mënyrë grabitjen e trojeve publike që i takojnë bashkisë.

I vetmi institucion, i cili mund t’i japë zgjidhje ligjore skandali në fjalë, është prokuroria e Sarandës, e cila ndërkohë ka nisur një hetim për këtë çështje. Aktualisht procedimi është i regjistruar si vepër penale dhe jo në emër të personave apo zyrtarëve, të cilët janë të përfshirë në këtë skandal. Sipas organit të akuzës, nuk është një hetim i lehtë, pasi duhet të verifikohen mijëra faqe dokumentacion dhe duhet kërkuar informacion në disa institucione. Deri në fund të këtij hetimi, këto prona nuk mund të tjetërsohen, të shiten apo të kalojnë në emër të personave të tretë.

Çuditërisht, prokuroria ka rreth 6 muaj që heton dhe ende nuk ka një vendim edhe pse faktet janë të qarta dhe kemi të bëjmë më një rast grabitje të pronës publike. Ky është rasti tipik, që institucionet bëhen bashkë, duke mos reaguar, me qëllim tjetërsimin e pronës së shtetit. Institucionet e kadastrës në zonat e jugut dhe veçanërisht ato bregdetare duket se janë të mallkuara për drejtuesit e tyre. Situata në kadastrën e Sarandës ngjason më ata të Vlorës, e cila përgjatë këtij viti ka prodhuar lajme të denja për rekorde botërore. Kadastra e Vlorës për një vit ka ndërruar 8 drejtorë, të gjithë kanë dhënë dorëheqjen njëri pas tjetrit.

Të gjitha largimet, jo zyrtarisht lidhen me konfliktet që palë të ndryshme kanë për regjistrimin e pronave në bregdetin e kësaj zone. Ndërsa zyra qendrore e kadastrës ende nuk ka mundur të zgjidhë problemin në Vlorë, kadastra e Sarandës duket se është një problem i ri dhe deri tani ka dhënë dorëheqjen vetëm një drejtues i saj. Jo zyrtarisht edhe kjo dorëheqje lidhet me konfliktet që janë hasur në regjistrimin e pronave, ndërsa zyrtarisht nuk ka pasur një reagim as nga ish drejtori Ardian Kola dhe as nga zyra qëndrore e kadastrës./ Abcnews.al