Në një deklaratë për mediet, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka kërkuar hetim edhe për ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, lidhur me aferën einceneratorëve.
Sipas saj Ibrahimaj është e implikuar drejtpërdrejt në aferën e inceneratorëve pasi me veprimet dhe mosveprimet e saj ka ndikuar në mos hetimin e plotë të këtyre krimeve financiare nga administrata tatimore që ajo ka drejtuar në vitin 2018.
Kryemadhi: Vlera totale e këtyre krimeve financiare të lidhura me inceneratorët, me aq sa ne kemi evidentuar, kap vlerën 30 milionë dollarë. Si përgjigje ndaj këtyre fakteve tronditëse të bëra publike, Ministrja e Financave të qeverisë deklaroi në Kuvend se ata i kanë ditur këto kompani fiktive që në vitin 2018.
Mirëpo, edhe kur i kanë hetuar këto kompani fiktive, administrata tatimore ka refuzuar t’i hetojë këto kompani që kanë lëshuar fatura fiktive për të mashtruar shtetin, sëbashku me përfituesit real të faturave fiktive. Që janë kompanitë e inceneratorëve, kompania e Klodian Zotos, nënkontraktore e inceneratorëve.
Ndaj, sot me shtesën e kallëzimit, i kam kërkuar SPAK të hetojë edhe Ministren e Financave, ish Drejtoreshën e Tatimeve, zonjën Ibrahimaj, për implikimin e saj të drejtpërdrejtë me aferën e inceneratorëve, pasi me veprimet dhe mosveprimet e saj ka ndikuar në mos hetimin e plotë të këtyre krimeve financiare nga administrata tatimore që ajo ka drejtuar në vitin 2018.Zbardhja e aferës së inceneratorëve nuk është betejë politike për LSI, por është ajo që meriton çdo qytetar i republikës.
Ndaj në 27 Maj 2022, në cilësinë e kallëzuesit, i kam dërguar kërkesën e dytë për informacion SPAK në lidhje me statusin juridik të çështjes penale.
/Abcnews.al/