Aeroplanë zbulues rusë pikasen mbi detin Baltik e Barenc

schedule16:15 - 26 Prill, 2023

schedule 16:15 - 26 Prill, 2023

Tre avionë ushtarakë rusë që përdoren për qëllime zbulimi janë pikasur e shoqëruar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi detin Baltik, njoftuan të mërkurën forcat ajrore gjermane.

Zyrtarët gjermanë thanë se avionët, që po fluturonin pa pajisjet e radio-komunikimit të ndezura, ishin diktuar nga aeroplanët gjermanë dhe britanikë.

Të martën, autoritetet norvegjeze thanë se forcat e tyre ajrore kishin identifikuar një grup avionësh ushtarakë rusë që fluturonin mbi detin Barenc. Forcat ajrore norvegjeze thanë se bëhej fjalë për dy avionë bombardues, dy avionë që përdoren për furnizim me karburant në ajër, si dhe tre avionë luftarakë.

Ndërkohë Ministria britanike e Mbrotjes njoftoi sot se në qytetin Bakhmut vazhdojnë luftimet e ashpra në pjesën perëndimore të tij.

Në postimin e tyre në Twitter, autoritetet britanike thanë se Kievi po përpiqet të ruajë kontrollin e një korridori të rëndësishëm furnizimi, në kushtet kur opsionet e tjera të furnizimit për forcat e saj në Bakhmut, kanë ndeshur në vështirësi, për shkak të baltës.

Në një tjetër zhvillim të lidhur me agresionin rus, ish-Kryetari i Bashkisë së qytetit rus Yekaterinburg, Yevgeny Roizman, doli përpara një gjykate nën akuzën e diskreditimit të ushtrisë ruse, lidhur me sulmin e saj në Ukrainë.

Zoti Roizman është një figurë opozitare popullore në vend. Ai është kritiku i fundit i spikatur i Kremlinit, që ndodhet ende në Rusi, por jo në burg./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!