Admir Murataj u vra në grabitjen e Rinasit, bashkëshortes i sekuestrohen pasuri me vlerë 2 mln euro

schedule16:27 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 16:27 - 12 Dhjetor, 2022

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 2 milionë euro, të cilat janë në pronësi të bashkëshortes së Admir Muratajt, njërit prej autorëve të grabitjes në Rinas.

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se është sekuestruar 1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i 47-vjeçares, Admir Murataj. Ky i fundit mbeti i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.

Njoftimi i plotë 

Tiranë -Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Relative”.

Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 2 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Relative”.

Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetases A. A. (M)., 47 vjeçe, banuese në Tiranë.

Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 2 milionë euro, konkretisht:

•1 apartament dhe 2 garazhe, në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, 1 apartament në Sarandë dhe një sipërfaqe toke (pemëtore), në Mjull Bathore.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga bashkëshorti i shtetases A. A.(M.), shtetasi A. M., i cili ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së një shume të konsiderueshme parash, në Rinas, në vitin 2019.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar pasuri të tjera që kjo shtetase ose familjarët e saj mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Vendimi i Prokurorisë 

Prokuroria Tiranë kërkon sekuestrimin e pasurive të shtetases A.A., për veprën penale të

“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon sekuestrimin e pasurisë së shtetases A. A., për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, e parashikuar nga neni 287 i K.Penal

Shtetasja A.A., është bashkëshortja e shtetasit A.N., i proceduar më parë në lidhje me disa grabitje në banesa, banka, arka kursimi dhe automjete. Ky shtetas është autori i dy grabitjeve të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri në vitin 2015-2017 dhe 2019 ku janë marrë një sasi e konsiderueshme parash si dhe autori i grabitjes së parave në Aeroportin Rinas në vitin 2017 dhe 2019.

Nga analiza në tërësi e provave dhe akteve të administruara nga hetimi paraprak i këtij procedimi penal, si dhe çmuarjes se tyre me objektivitet, arrihet në konkluzionin se pasuritë e paluajtshme të shtetases A.A., dhe familjarëve lidhur me të, dyshohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm të bazuar në prova, se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në të cilat ka qenë i përfshirë shtetasi A.N., vëllai i tij dhe ka rrezik që disponimi i lirë i tyre mund të rëndojë pasojat e veprës penale për të cilën është rregjistruar ky procedim penal, duke u tjetërsuar ose transferuar tek të tretët.

Përfundimisht, organi i akuzës dyshon se pasuritë e krijuara nga shtetasja A.A., dhe familjarët e saj janë të krijuara nga burime të paligjshme, nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave si dhe nuk justifikohen me të ardhurat e realizuara edhe prej aktiviteteve tregtare të rregjistruara ose punësimi i tyre me periudha të pjesshme.

Këto pasuri të paluajtshme, janë në zotërim të drejtperdrejtë të shtetases A.A., si ish bashkëshortja e shtetasit A. N.

Për këto arsye dhe duke u bazuar në sa më sipër dhe bështetur në nenin 274, paragrafi 1 e 2 e vijues  të Kodit të procedurës Penale.

VENDOSI

Sekuestrimin pranë ASHK Tiranë të pasurive të paluajtshme,  në emrin e shtetases A.A., familjarëve të saj si më poshtë:

– Pasuri nr 3/1205+1-8. ZK 8160, apartament 108.68m2. Rruga “Mihal Grameno”. Tiranë, fituar me k/sh Nr. 6225 Rep. Nr 2871/2 Kol date 26.11.2018;

– Pasuri nr 3/1205-G8, ZK 8160, garazh 14.18 m2, rruga “Mihal Grameno”, Tiranë, fituar me k/sh Nr. 6225 Rep.. Nr 2871/2 Kol date 26.11.2018;

– Pasuri nr 3/1205-G7. ZK 8160, garazh 13.63 m2 , rruga “Mihal Grameno”, Tiranë, fituar me k/sh Nr. 6225 Rep., Nr 2871/2 Kol datë 26.11.2018;

-Pasuri nr 18/65+1-25. ZK 8642, apartament 71 m2,  Sarandë, Rruga “Butrinti”, përfituar me Kontrate Shitje; dhe

-Pasuri nr 474/7, ZK 2704, pemëtore 608 m2, “Mjull Bathore-Sauk”. Tiranë, data e lëshimit të çertifikatës 26.06.2020.

Për zbatimin e këtij urdhëri ngarkohen Agjensia Shtetërore e Kadastrës, dhe Oficeret e Policisë Gjyqësore të Seksionit Për Hetimin e Pastrimit të Parave, pranë Drejtorisë Vendore të Policise Tiranë.

Grabitja

Më 9 prill të 2019 një grup personash arritën që të marrin sasinë e parave të transportuara me blinda nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri jashtë shtetit nëpërmjet Rinasit. Pas një përplasje me Policinë mbeti i vdekur Admir Murataj, person afër Klement Çalës pasi së bashku grabitën blindat po 2 vite më parë afër Rinasit.

Pas hetimeve të shumta Policia vendosi në pranga kosovarin Ragip Hajdinin, Elton Piklin, Renaldo Sulajn, Oltion Veselin, Saimir Çelën, Alkond Bengasin dhe Hasan Kanaçin.

Më pas hetimet u shtrinë në Elbasan aty ku u zbulua se furgoni me nënshkrimin hetimi tatimor fals ishte modifikuar në një servis të këtij qyteti.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!