Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar të enjten marrëveshje të reja për shitjen e deri në 37 avionëve Boeing për linjat ajrore të tre vendeve të Azisë Qendrore: Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e lidhjeve tregtare me rajonin.
Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, kompania Air Astana, linja ajrore kombëtare e Kazakistanit, planifikon të blejë deri në 15 avionë Boeing 787-9 Dreamliner për të modernizuar dhe zgjeruar flotën e saj ajrore.
Marrëveshjet u nënshkruan gjatë Samitit C5+1 në Uashington, në shenjë të 10-vjetorit të bashkëpunimit diplomatik ndërmjet pesë republikave të Azisë Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.
Air Astana aktualisht operon me tre avionë Boeing 767, të cilët lidhin Kazakistanin me destinacione në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Me shtimin e avionëve të rinj, kompania planifikon të zgjerohet edhe drejt Amerikës së Veriut, bëri të ditur Boeing.
Ndërkohë, Somon Air, linja ajrore kombëtare e Taxhikistanit, pritet të blejë deri në 14 avionë Boeing, përfshirë katër 787 Dreamliner dhe dhjetë 737 MAX, ndërsa Uzbekistan Airëays ka planifikuar blerjen e tetë avionëve shtesë 787.
Sipas Departamentit të Tregtisë, avionët e rinj të prodhuar në SHBA janë një element kyç në marrëveshjet tregtare dhe diplomatike që administrata Trump ka nënshkruar me vende të huaja. Vetëm këtë vit, Boeing ka siguruar qindra porosi të reja si pjesë e këtyre marrëveshjeve.
Një marrëveshje tjetër shumë e rëndësishme, ende në proces, është ajo me Kinën, ku Boeing po zhvillon negociata për shitjen e deri në 500 avionëve, një hap që do të përfaqësonte një përparim të madh në tregun e dytë më të madh të aviacionit në botë — treg që ka qenë i ngrirë prej kohësh për shkak të tensioneve tregtare SHBA–Kinë.
/ abcnews.al/

