Administrata korigjon Trump: Nuk jemi tërhequr nga Siria

schedule20:10 - 8 Tetor, 2019

schedule 20:10 - 8 Tetor, 2019

Turqia nuk ka më asnjë minutë për të humbur në Siri. Me këtë mesazh në Twitter Presidenca në Ankara konfirmon veprimet ushtarake në verilindje të Sirisë. Ndërsa Shtëpia e Bardhë në një deklaratë për media u shpreh se nuk bëhet fjalë për tërheqje të ushtarëve amerikanë nga vendi, por thjesht një zhvendosje në një zonë tjetër.

Vendimi i Donald Trump për të tërhequr ushtarët amerikanë nga Siria, pranë kufirit me Turqinë, përfshin vetëm deri në 10 anëtarë të forcave speciale, të cilët do të rivendosen në baza të tjera brenda vendit.

Deklarata u bë nga një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, i cili këmbënguli se nuk bëhet fjalë për një tërheqje dhe se lëvizjet nuk përfaqësojnë në asnjë moment një dritë jeshile për një sulm ushtarak turk kundër forcave kurde në verilindje të Sirisë.

Një zyrtar i lartë i administratës  Trump shtoi se Turqia do të ndërmarrë një operacion ushtarak por nuk do të ketë asnjë përfshirje të forcave të armatosura amerikane. Turqia i ka shpallur luftë militantëve kurdë në very të Sirisë dhe është gati të pushtojë rajonin duke përdorur me mijëra ushtarë dhe mjete ushtarake.

Komuniteti ndërkombëtar ndërkohë ka shprehur shqetësimin e tij.

Një zëdhënës i komisionit europian u shpreh se, pas deklaratave të Turqisë për situatën në Siri, Bashkimi Europian është i shqetësuar, duke përsëritur se asnjë zgjidhje për këtë konflikt, nuk mund të jetë ushtarake. Kjo situatë mund të normalizohet vetëm me anë të një tranzicioni politik.

Kombet e bashkuara nga ana tjetër kanë paralajmëruar se të gjithë duhet të përgatiten për më të keqen në veri lindje të Sirisë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën për të lejuar Turqinë që të kryejë veprime ushtarake në zonë.

Dy bomba kanë shpërthyer brenda një ore në dy zona të ndryshme në very të Sirisë, prej tri vitesh nën kontrollin e ushtrisë turke, duke shkaktuar 14 të plagosur dhe vdekjen e një atentatori.

Sulmet ndodhën pak orë pas deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqjen nga verilindja në siri dhe paralajmërimit të Ankarasë për sulm ushtarak.

Presidenca turke me anë të një mesazhi në profilin zyrtar në Twitter, shkruan se vendi nuk ka më asnjë minutë për të humbur, pasi ka qenë më e duruar seç duhet me aleatët e saj për të luftuar terrorizmin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!