Presidenti i FFK-së (Federata e Futbollit të Kosovës) dhe pjesëtarët e komitetit ekzekutiv të futbollit dardan, ishin sot të ftuarit e Armand Dukës, kreut të futbollit shqiptar. Në 11 nëntor luhet vëllazërorja Shqipërisë-Kosovë, që do të luhet në “Elbasan Arena”.
Pas Dukës ishte radha e Ademit për të folur përpara mediave rreth temave të shumta. I pari i futbollit dardan falënderon FSHF-në për ndihmën e dhënë për pranimin e Kosovës në FIFA e UEFA, teksa ndalet edhe te ligji i sponsorizimit në Kosovë.
“Jemi të nderuar që jemi prezent dhe jemi pritur nga presidenti Duka dhe komiteti ekzekutiv, për të parë këto objekte të mrekullueshme. Kemi vizituar shumë shtete të Ballkanit, por zyrat e FSHF-së dhe ‘Air Albania’ janë të nivelit më të lartë.
Kjo vizitë rastisi në një ditë shumë të vështirë për Kosovën, për faktin që janë thirrur në Hagë disa udhëheqës të UÇK-së dhe shtetit tonë. Jemi me ta dhe besojmë në pastërtinë e tyre.
Jemi këtu për të falënderuar presidentin Duka, i cili ka qenë një nga promotorët që Kosova të pranohet në FIFA dhe UEFA, dhe pjesa e tij është shumë e rëndësishme e për këtë jemi shumë të nderuar.

Kemi bërë lobime të mëdha së bashku me ish-presidentin e ndjerë Fadil Vokrri. Duhet të jemi të nderuar që kemi një njeri që është në qeverisjen e futbollit europian. Ne duam ta falënderojmë publikisht, për të gjitha ndihmesat për futbollin e Kosovës. Këtë ditë do ta shfrytëzojmë për projekte të reje. Kemi ardhur në përkrahje të rastit të Superiores.
Shumë mirë që filloi Superiorja në Shqipëri. Ne e kemi një ligj dhe do të japim mendimin tonë dhe përvojën për ligjin e sponsorizimit nëse do të jetë nevoja. Futbolli është kudo në botë sport primar dhe me impakt shumë të madh në popullatë. Duhet ta trajtojmë futbollin si segment të mirë ekonomik dhe shpirtëror.
Vëllazërorja? Sfida ndaj Shqipërisë do të jetë gjithmonë një vëllazërore dhe ne do të jemi gjithmonë një vëlla i vogël. Sa herë që i duhemi kombëtares, në të gjitha ndeshjet tona dhe me kapacitetet tona, do të jemi gati.
Ligji i sponsorizimit në Kosovë është i prekshëm dhe shumë i lehtë e i arsyeshëm. Ne mund të japim përvojat tona në futboll dhe jo vetëm. Në futboll ka më shumë njerëz të interesuar për të investuar. Kemi fatin që në Kosovë janë afruar shumë kompani të mëdha në Ligat tona.
Është një ngritje ekonomike, që sjell ngritjen cilësore. Ne me kapacitetet tona, jemi të gatshëm me cilindo të flasim se si po ecën ligji i sponsorizimit. Kemi më shumë trajnerë të licencuar, cilësorë si edhe futbollistë“, përfundon Ademi. /abcnews.al

