Acerbi, Immobile e Scamacca jashtë, Spalletti sqaron gjithçka para përballjeve me Venezuelën dhe Ekuadorin

schedule10:16 - 19 Mars, 2024

schedule 10:16 - 19 Mars, 2024

Ashtu si gjithë Kombëtaret, edhe përfaqësuesja e Italisë po bëhet gati për miqësoret e muajit mars, me kampionët në fuqi të Evropës, që do të ndeshen fillimisht, më 21 mars, me Venezuelën, në “Chase Stadium”, të Floridas dhe vetëm tre ditë më vonë do të presin në “Red Bull Arena”, të Nju Xhersit, Ekuadorin.

“Të Kaltërit” janë gati të fluturojnë drejt Majemit, ku dhe do të përgatiten edhe për sfidën e parë të marsit, mirëpo fillimisht, tekniku, Luciano Spalletti, duhej të përballej me rastin e paprecedent, që çoi në përjashtimin e “veteranit” të mbrojtjes, Francesco Acerbi, me këtë të fundit, që u akuzua për ofeza raciste, ndaj brazilianit, Juan Jesus, në sfidën e fundit të Serie A, ndaj Napoli.

“Nga ajo që më tha Acerbi, nuk kishte asnjë incident racizmi, por ne kemi përgjegjësi dhe duhet t’i sqarojmë gjërat. Është sigurisht një zhgënjim i madh kur merr vendime të tilla për këto episode, por duhet të jemi të kujdesshëm. U përpoqa të flisja me Juan Jesus, por telefoni i tij ishte i fikur”,- u shpreh gjatë konferencës për shtyp, tekniku italian.

Më tej, strategu i katër herë fituesve të Kupës së Botës foli edhe për lënien jashtë të dy “bomberave”, të sulmit, Ciro Immobile e Gianluca Scamacca, ku për “bomberin” e Lazio u shpreh se nuk po kalon një moment të mirë, ndërsa për pykën e Atalanta u shpreh se është tepër i zhgënjyer nga paraqitja e tij e fundit, me Kombëtaren.

“Nuk dua të tallem me askënd. E di që Ciro është një lojtar i rëndësishëm për Lazion dhe ekipin kombëtar, por ai është duke përjetuar një moment që nuk e lejon të shprehë potencialin e tij dhe unë duhet t’i konsideroj të gjithë. Scamacca nuk ka luajtur për një kohë dhe kur e thirra nuk dha më të mirën nga vetja. Duhet të kesh aftësinë për të demonstruar veten në nivelin e duhur, sepse një ndeshje e gabuar mund të komprometojë gjithçka”,- përfundoi Spalletti. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!