Abuzuan me tokat, KLSH kallëzon 7 zyrtarë të hipotekës në Berat

schedule16:14 - 18 Shkurt, 2020

schedule 16:14 - 18 Shkurt, 2020

Kallëzohen në prokurori 7 zyrtarë të hipotekës së Beratit pasi ndryshuan zërin Kadastral në zonën muzeale në këtë qytet. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një audit në zyrën e regjistrimit të pasurive në Berat dhe ka arritur në përfundimin se është ndryshuar zëri  kadastral nga kullotë në truall.

Po ashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se janë realizuar edhe regjistrime objektesh në afërsi të lumit “Osum”. Ndër të tjera rezulton se janë bërë regjistrime në mënyrë të paligjshme në favor të personave privatë për pasuritë e paluajtshme të prekura nga TAP, me efekt financiar 10,1 mln lekë. Raporti përfundimtar i Auditimit i ka rekomanduar Drejtorisë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës  Berat përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundraligjshme në regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një audit edhe në hipotekën e Lezhës dhe ka depozituar indicie për ndjekje penale në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Lezhë sipas shkeljeve të konstatuara. Në përfundim të auditit ka rezultuar se zyra e hipotekës së Lezhës është tjetërsuar në favor të personave privatë prona publike e llojit “Ranishte” e cila është pronë e patjetërsueshme.

Janë regjistruar dhe lëshuar certifikata pronësie në kundërshtim me ligjin për pasuri duke u ndryshuar zërin kadastral nga “Ranishte” “Pyll”, “Moçal”, “Truall” në “Tokë bujqësore”.

Ndër të tjera ka rezultuar se në shumë raste është kryer regjistrimi fillestar i pronës publike në favor të personave privatë, pa titull pronësie si dhe ka regjistruar dhe ka lëshuar certifikata pronësie për objektet e legalizuara në zonën e mbrojtur të Kune-Vain-Tale./abcnews.al