Abuzimi me tokat/Arrestohet kryetari dhe nënkryetari i Bashkisë Lezhë

schedule18:36 - 16 Mars, 2018

schedule 18:36 - 16 Mars, 2018

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe nënkryetari i kësaj bashkie, Enver Hafizi, janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Drejtori i Policisë së Lezhës, Ferdinand Mara, tha se në këtë operacion jane ndaluar edhe 10 persona të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë të bashkisë. Të gjithë dyshohet se janë të përfshirë në skandalin e pronave tek zona e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.

Një skandal me pronat tek zona e Ranës se Hedhun në Shengjin çoi në pranga kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe nënkryetarin, Enver Hafizi. Drejtori i Policisë së Lezhës, Ferdinand Mara, njoftoi në një konferencë për mediat rezultatet e operacionit “Ranishtja 4”.

Ferdinand Mara: “Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, me vendimin e datës 15 Mars 2018, ka vendosur masën e sigurisë personale “Arrest ne burg” për zyrtaret e administratës shtetërore dhe për shtetas të tjerë të cilat janë ekzekutuar për shtetasit:

1. Fran FRROKAJ, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lezhe.

2. Enver Hafizi, 62 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Nenkryetar i Bashkisë Lezhë

3. Gjok Ndoka, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar Këshillit të Qarkut Lezhë

4. Adenis Haxhia, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyre jurist pranë Bashkisë Lezhë.

5. Dilaver Neli, 56 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Tokës të Këshilli Qarkut Lezhë,

6. Enkelejd Zefi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist hartograf pranë ZVRPP Lezhë.

7. Pjeter Gjoni, 68 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, përfitues tokë në mënyrë të paligjshme”.

Për të ndaluarit e tjerë është dhënë masa arrest shtëpie.

Ferdinand Mara: “Me masën e sigurisë personale “Arrest në shtëpi” për zyrtarët:

1. Gjelina Baca, 58 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkine Lezhë.

2. Juxhina Mema, 25 vjeçe, lindur dhe banues në Gramsh, me detyrë ish- specialiste në Drejtorinë e Bujqesisë në Bashkinë Lezhë

3. Marte Gjergji, 50 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë topografe pranë Bashkisë Lezhë.

4. Frrok Frroku, 75 vjeç, me banim në Bashkinë Mamurras, ka përfituar tokë në menyrë të paligjshme.

5. Luigj Paloka, 76 vjeç, me banim në Shkodër, ka falsifikuar aktet”.

Në kërkim janë shpallur 11 persona mes tyre zyrtarë në ish-komunën Shëngjin apo përfitues tokash në mënyrë të paligjshme.

Te gjithë dyshohet se përgjatë periudhës 2016-2017 në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.

Kjo sipërfaqe është shndërruar me dokumenta të falsifikuara nga tokë shtetërore në bregdet, në tokë arë dhe pemtore. Më pas është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Lezhë (ZRPP), duke përfituar padrejtësisht në interes të tyre dhe personave të tjerë.

Hetimet lidhur me këtë dosje kanë filluar mbi bazën e të dhënave të siguruara nga burime policore dhe ankesa të qytetarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!