TIRANË- Gjykata e Posaçme la në fuqi 19 nga 24 masat e caktuara në mungesë për zyrtarët dhe pedagogët në hetim për abuzime me tendera në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Masat u lehtësuan për 5 të dyshuar të tjerë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje.
Në burg janë lënë Edmond Tërthorja, administratori i UBT, Amarildo Lleshi, përgjegjës juridik, Mehmet Qoshja, drejtor i prokurimeve, Altin Murto Drejtor i fondeve, ndërsa Piro Zoga, për të cilin po ashtu ka masë sigurie “arrest me burg”, nuk është bërë ekzekutimi I masës për shkak se ndodhet jashtë vendit.
Personat nën hetim akuzohen për abuzime me nëntë procedura prokurimi, të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë prej 90 milionë lekësh. SPAK thotë se zyrtarë të UBT në bashkëpunim me biznese frynin tenderat dhe përfitonin paratë.
Sipas SPAK, hetimet, të nisura më 21 tetor 2022, zbuluan një skemë të mirëorganizuar, në të cilën zyrtarë të nivelit të lartë akademik, përfshirë 2 zëvendësrektorët Ilir Kapaj e Romina Kotaj, dhe administratorin, Edmond Tërthorja në bashkëpunim me biznese manipuluan procesin e prokurimeve publike, duke favorizuar firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”.
Fillimisht hetimet janë referuar nga policia e shtetit ku janë kryer një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ndërsa janë evidentuar shkelje ligjore, që në momentin e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin. Gjithashtu sipas prokurorisë zyrtarët e universitetit bujqësor kanë dorëzuar dokumente të falsifikuara duke favorizuar kompanitë për të fituar projekte të ndryshme.
Hetimet zbuluan se këto firma jo vetëm favorizoheshin dhe paracaktoheshin në tendera, por edhe bënin oferta fiktive në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave.
SPAK thotë se hetimet zbuluan se përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike ishin bërë në koordinim të plotë me fituesit e paracaktuar të tenderave, ndërsa nuk bëhet asnjë analizë reale të tregut.
Dokumentet hetimore tregojnë se pajisjet dhe mallrat e tenderuar ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj përpara shpalljes së procedurave, duke treguar se fituesit ishin vendosur paraprakisht.
Ky manipulim ka përfshirë edhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë ndihmuar në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar./abcnews.al

