Abramovich gjen “shtëpi” në Izrael/ Oligarkut ruso-hebre i jepet nënshtetësia

schedule23:22 - 28 Maj, 2018

schedule 23:22 - 28 Maj, 2018

Miliarderi Roman Abramovich është kthyer në vendin e rrënjëve të tij. Pasi i skadoi viza britanike, që e detyroi të mos ndiqte nga afër finalen e FA Cup, oligarku ruso-hebre ka marrë nënshtetësi izraelite.

Miliarderi ruso-hebre Roman Abramovich, i mirënjohur si pronar i klubit të futbollit Chelsea, ka udhëtuar të hënën drejt Tel Avivit, pasi është pajisur me pasaportë izraelite. Autoritetet lokale të emigracionit kanë deklaruar për BBC se zoti Abramovich është konsideruar një person i përshtatshëm për të mbajtur pasaportë izraelite. Lëvizja e oligarkut erdhi pasi ai skadoi viza britanike, që e detyroi të udhëtonte nga Londra në Moskë, ku nxitoi të shkonte në ambasadën izraelite. Abramovich po përballej me vonesa në ripërtëritjen e vizës. Autoritetet britanike nuk kanë bërë një koment për këtë, por vonesa vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Moskës janë më të tensionuara se kurrë për shkak të helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal në jug të Anglisë. Kjo bëri që miliarderi të mos ndiqte nga afër finalen e FA Cup e luajtur në “Uemblli”, ku Chelsea i tij mposhti Manchester United. Mediat izraelite bëjnë ndërkohë të ditur se, miliarderit i është dhënë edhe një kartë identiteti në bazë të Ligjit të Kthimit, që u lejon hebrenjve të kthehen në Izrael. Dhe personave të pajisur me pasaportë izraelite u lejohet të hyjnë në Britani pa vizë për qëndrime afatshkurtra. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!