Abissnet Superiore/ Sulmi dhe mbrojtja më e mirë e kampionatit, ja çfarë rezervon derbi Partizani-Tirana

schedule18:36 - 20 Shtator, 2024

schedule 18:36 - 20 Shtator, 2024

Gjithçka është gati për derbin e parë të këtij sezoni në kampionatin “Abissnet Superiore”, Partizani-Tirana dhe stadiumi “Air Albania” do të jetë skena e këtij dueli të shumëpritur.

Të dyja skuadrat e kanë nisur ndryshe kampionatin, me Tiranën që nuk ka fituar ende asnjë ndeshje, por ndërkohë nuk ka regjistruar humbje.

Pesë barazimet në pesë javët e para të kampionatit janë edhe rezultat i faktit se Tirana është skuadra e dytë që pëson më pak goditje në portë për ndeshje, 8.45.

Partizani nga ana tjetër ka humbur vetëm një ndeshje dhe aktualisht është i treti në renditje me 8 pikë të barabarta me Elbasanin. Fillimi pozitiv i skuadrës së Aleksandër Veselinoviçit vjen sigurisht edhe për shkak të aftësisë për të krijuar raste për gol.

“Demat” janë skuadra që në këto pesë ndeshjet e para ka goditur më së shumti portën e kundërshtarit, me një mesatare prej 14.8 gjuajtjesh për ndeshje, teksa një aspekt ku Partizani mund të duhet të përmirësohet është saktësia e gjuajtjeve, duke qenë se vetëm 35.4% e goditjeve përfundojnë në portë.

Nga ana tjetër, 43% e goditjeve të Tiranës përfundojnë në portë, nga 10.7 goditje për ndeshje, është një shifër që tregon se bardheblutë janë më saktë në finalizim.

Një sulm i shkëlqyer, ai i Partizanit, kundër një mbrojtjeje shumë të mirë, si ajo e Tiranës. Kjo është ndeshja që na pret mbrëmjen e së shtunës. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!