Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se sot po hap një faqe të re me qëllim për ta kthyer LDK-në në vendin që meriton në skenën politike kosovare.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me LDK-në.
” Sot po e hapim një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare. Rruga përpara s’është e lehtë, por ajo duhet të jetë e mbarë dhe e drejtë. Rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mira që kemi brenda. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne. Rruga përpara kërkon hapjen ndaj mendjeve më të mira të vendit, që LDK-në dhe idenë e saj e shohin si bindje origjinale e tyre”, shkroi Abdixhiku.
Më tej ai falenderoi të gjithë që e uruan për pozitën e tij të re në LDK.
“Më lejoni që këtu, të falenderoj të gjithë politikanët vendorë e ndërkombëtarë për urimet e marra sot. Falenderoj Kryeministrin në detyrë z. Hoti, u.d. e Presidentes znj. Osmani, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje! z.Kurti; kryetarin e AAK-së z. Haradinaj; kryetarin e Kryeqytetit z. Ahmeti; Kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri z.Lulzim Basha e ish Presidentin shqiptar z. Sali Berisha, miqtë tanë në Partitë Popullore Evropiane dhe gjithë kolegët, bashkëpunëtorët e përfaqësuesit tjerë të korit diplomatik”, përfundoi ai.