Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit të dytë që kishte me shoqërinë civile dhe OJQ-të, për të diskutuar për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatët, ka theksuar se kishte mbështetjeje të shoqërisë civile për propozimet që vendi të dal sa më shpejtë nga kjo gjendje e rënduar.
Abdixhiku tha se gjatë takimit kanë prezantuar shtatë pika për të cilën vendi mund të arrijë përpara. Sipas tij, pozicioni i Kosovës ndërkombëtarisht është i dëmtuar, jo vetëm për shkak të politikave të gabuara të kryeministrit Kurti me aleatë, por siç tha ai, edhe paaftësisë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku tha se Kosova duhet të ndërtojë ekipe profesionistësh që të dërgojë në çdo kryeqendër evropiane për të kërkuar jo vetëm heqjen e dënimeve, por edhe për ta parashtruar hapat e ardhshëm të vendit. Për këtë, Abdixhiku tha se kishte pajtueshmëri të plotë pothuajse me të gjithë për gjendjen alarmante që ka Kosova.
Mes tjerash, Abdixhiku derisa tha se morën mbështetje për propozime nga shoqëritë civile, u shpreh se nuk sheh rrugë përpara me këtë qeveri.
Sipas tij, Kosova duhet të marrë autorësinë mbi draftin, duke shtuar se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.
Ai shtoi se duhet të krijohet një version i qartë që Kosova është vend i paqes dhe stabilitetit, sidomos në veri të vendit.
/KosovaPress/

