Abcnews.al siguron dosjen: Përgjime, foto dhe ndjekje, si u ngritën akuzat e SPAK ndaj Margjekës

schedule14:55 - 1 Tetor, 2020

schedule 14:55 - 1 Tetor, 2020

Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtepie” për gjyqtaren e Apelit të Korçës, Mimoza Margjeka me akuzën e korrupsionit.

Vendimi u dha pas akuzës së SPAK se Margjeka kishte marrë para në këmbim të lehtësimit të masës së sigurisë për Orion Balin, i arrestuar në 4 korrik të këtij viti duke transportuar klandestinë.

Sipas SPAK, Margjeka ka marrë 6000 euro në këmbim të nxjerrjes së Orion Balit nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”.

Lexo edhe: Margjeka mbetet në arrest shtëpie, përplaset me policinë para gjykatës: Më dënuan për Durrësin

Në daljen e saj sot nga gjykata pas rikonfirmimit të masës së sigurisë “arrest shtepie”, Margjeka lëshoi akuza të forta duke thënë se kemi të bëjmë me një proces të montuar politikisht për shkak se nuk kishte dhënë mandatin e Valbona Sakos në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar.

Margjeka tha se akuzat janë ngritur të bazuara mbi thashetheme dhe pa asnjë provë që e lidhin atë apo bashkëshortin Arben Cara në mënyrë të drejtpërdrejt me marrjen e parave për të lehtësuar gjendjen e Orion Balit.

Abcnews.al ka siguruar dosjen e plotë të SPAK, ku radhiten akuzat ndaj Mimoza Margjekës dhe të tjerëve. Akuzat janë të bazuara mbi komunikime telefonike të përgjuara si edhe ndjekje fizike ndaj personave të hetuar.

Dosja

Përveç një rasti ku Margjeka është fotografuar në prani të bashkëshortit të saj Arben Cara, vajzës së mitur dhe Klaudjo Zhillës, i akuzuar gjithashtu për këtë çështje, gjyqtarja nuk është konstatuar në asnjë rast, as në përgjime telefonike dhe as në ndjekje fizike që të ketë komunikuar për çështjen në fjalë. Lidhja që bën SPAK është ajo mes bashkëshortit të Margjekës, Arben Cara dhe Klaudjo Zhillës, të cilët janë përgjuar në komunikime telefonike për t’u takuar dhe konsumuar kafe, pa folur për çështje konkrete.

Sipas dosjes së SPAK, të siguruar nga Abcnews.al, Oficerët e Policisë Gjyqësore që kanë ndjekur fizikisht Carën, kanë konstatur se ai, bashkë me Margjekën dhe vajzën qendronin tek hoteli i Albert Zhillës, babait të Klaudjo Zhillës , në qendër të Korçës.

Përgjime

Po ashtu, SPAK ka përgjuar telefonata mes avokatit të Orion Balit, vëllait të tij Nejton Bali si edhe Klaudjo Zhillës. Mes Klaudjo Zhillës dhe avokatit Skënder Demiraj nuk konstatohen telefonata me përmbajtje që e lidhin me korrupsionin, ndërsa në mënyrë të përsëritur hasen telefonata mes Nejton Balit dhe nënës së tij, ku i shpjegon se avokati i ka kërkuar 6 mijë euro, qoftë edhe lekë për t’ja dhënë gjyqtarëve me qëllim nxjerrjen e Orion Balit nga qelia.

Në dosje është pasqyruar edhe momenti kur flitet për dy gjyqtarët e tjerë të çështjes, siç është relatori Olsi Xhavella dhe gjyqtarja tjetër, Etleva Temo.

Në rastin e Xhavellës është konstatuar një moment, ku Klaudjo Zhilla shprehet se e ka takuar tek hoteli i tij duke mos dhënë detaje nëse kishte marrë apo jo garanci se do të jepte vendim pro Balit.

6 mijë euro

Në përgjimet telefonike flitet përherë për 6 mijë euro, të cilat do të ndahen nga 2 mijë euro për secilin gjyqtar. Megjithatë, SPAK ka ngritur akuzë vetëm ndaj gjyqtares Mimoza Margjeka.

Po ashtu, oficerët e policisë gjyqësore theksojnë në raportin e vëzhgimit se gjyqtarja Mimoza Margjeka përdor një makinë tip “Mercedes B-Class”, avokati Skënder Demiraj, makinë tip “Range Rover” si edhe Klaudio një fuoristradë.

Mbrojtja

Në mbrojtjen e saj, Margjeka është shprehur vazhdimisht se SPAK nuk ka asnjë provë që e lidh atë në mënyrë direkt me marrjen e parave nga familjarët e Orion Balit apo avokatit të tij Skëndër Demiraj.

Madje, akuzat e SPAK, Margjeka i lidh me vendimin e dhënë vjet pas zgjedhjeve lokale në Durrës, ku vendosi kundër dhënies së mandatit ndaj Valbona Sakos.

Margjeka tha se këtë vendim e kishte dhënë se i ishte duhur i drejt dhe jo për arsye politike.

PËRGJIMET

Përgjimi mes Klaudjo Zhillës dhe Skënder Demirajt:

Klaudio Zhilla: Skënder

Skënder Demiraj: Hë vlla ku je ti?

Klaudio Zhilla: Hë mbarove punë?

Skënder Demiraj: Po mbarova po

Klaudio Zhilla: Në rregull, po ça

Skënder Demiraj:Ku je ti tani?

Klaudio Zhilla: Po unë jam ktu ne shpia në Radënec, hajt te hoteli po vete, hajt ne hoteli

Skënder Demiraj: A ta çoj, jo unë jam këtu tani, po pres nji po a ta çoj shoferin unë me makinë time aty?

Klaudio Zhilla: Çoje ne hoteli, po mo. Ja kam lënë Bertit, është Berti aty.

Skënder Demiraj: Ë?

Klaudio Zhilla: Çoje në hotel se po vete edhe vetë aty

Skënder Demiraj: Ja ke lënë kujt atje?

Klaudio Zhilla: Bertit ia kam lënë, është Berti në hotel.

Skënder Demiraj: A Berti aty?

Klaudio Zhilla: Po po aty është.

Skënder Demiraj: Hajt

Përgjime mes Nejton Balit dhe Drita Balit:

Drita Bali: O Nelti hë me mam?

Nejton Bali: Hë mam

Drita Bali: A shite gjo?

Nejton Bali: Një dy peshq tashi

Drita Bali: Po shyqyr, u nis Erisa?

Nejton Bali: Po tashi do niset më kët autobusin me të katrës

Drita Bali: Mirë o ma, a ia more çunit atë?

Nejton Bali: Po shkon Vis, e merr më vonë

Drita Bali: Po mirë o mam

Nejton Bali: Hajd

Drita Bali: Hajd, asigjo mo, as ka fol Skënderi mo, ça të foli thuaj, fola unë?

Nejton Bali: Mori tashi në telefon

Drita Bali: Ça tha?

Nejton Bali: Ishte me atë Lomin, me atë që e kanë kap më përpara

Drita Bali: Ëhë.

Nejton Bali: Ma pru ai Bilbili tashi në telefon

Drita Bali: Orin e?

Nejton Bali: Telefonin moj mam pra, me numrin e atij, nuses së atij

Drita Bali: Poo

Nejton Bali: Eee. Ho me me tha mu ça bohet, a keni kap njeri? Thash po kam kap o vëlla, thashë. 6000 eruo i thashë unë do si fillim burri i huj,  i tash unë, me të qit ‘arrest shtëpie’. Ene ja 4 shkojnë 10 000 euro. Ça thua ore tha mu? Po. S’rrihet mrena. E di unë që srrihet mrena thashë, do 10 000 euro burri i huaj.

Drita Bali: Ça tha?

Nejton Bali: Nja, nja e kapëm. Sfoli më. Nesër tha, a do vijë në nji tha që të…Do vij thash, nuk ka pasur për të ardh njeri i thashë unë po, po do vijë nesër i thashë unë Visi me Albinën thashë se do bjeri atë letrën për të shpejtë, atë letrën thashë që ta bësh si bohet që mos ti humbim, mos humbim ditë thashë, të rrish një ditë më pak thashë.

Drita Bali: Ça tha?

Nejton Bali: E mirë tha. 6000 euro i do si fillim burri i huj i thashë. Tre gjyqtare ka tre, ka dy gjashtë. Pa llogarit Skënderin i thashë.

Drita Bali: Pu pu pu pu

*****

Drita Bali: Ça tha ajo o Nelti sot?

Nejton Bali: U përplas me atë o ma

Drita Bali: A e ngjove ti?

Nejton Bali: Po se ngjova moj mam mos se nuk len njeri me u fut, të rrish përjasht aty si qen e stë len njeri me u fut. Kush t pje..dh e mam, kush t pje..dh?

Drita Bali: Po Albina a e len nesër me hy?

Nejton Bali: Po Albinën, me taku Orin ee?

Drita Bali: Poo

Nejton Bali: Po si jo oree, po t mari certifikate, atë kartën e identitetit, kaq.

Drita Bali: E ka kartën e identitetit, ke kartë identiteti ti Albinë apo (pyet dikë)

Nejton Bali: E veç atë dhe të lejnë direkt, ska problem. Albinën e lejnë 8 deri në 1, deri në 2

Drita Bali: 8 deri në 2

/abcnews.al