Abc/Story: Sigurimi i Shtetit, e vërteta e vrasjeve e rrëmbimeve jashtë vendit

schedule16:42 - 12 Qershor, 2021

schedule 16:42 - 12 Qershor, 2021

Enver Hoxha dhe komunistët shqiptarë arritën të mbanin pushtetin për një periudhë relativisht të gjatë.

Ishte një pushtet që garantohej nga sistemi njëpartiak i stilit të Komunizmit Lindor dhe diktatura e Proletariatit apo e shumicës mbi pakicën.

Gjithsesi shumëkush mendon se meritat kryesore i shkojnë Policisë Politike, njohur zyrtarisht si Sigurimi i Shtetit.

Kësaj strukture i visheshin shumica e meritave, që nga identifikimi dhe mbyllja pas hekurave e kundërshtarëve politikë, e deri te kontrolli i tejpërtejshëm, jo vetëm i veprimtarisë së përditshme të një populli të tërë, por edhe i mendimeve të gjithsecilit…

Veç këtyre, edhe pse me shpërfaqje legjendash, Sigurimit të Shtetit i janë veshur edhe vrasje e rrëmbime kundërshtarësh të regjimit komunist, të kryera jashtë Shqipërisë.

Shqiptarët, pothuaj të gjithë kanë lexuar apo dëgjuar për rrëmbimin e ish-kryeministrit Koço Kota në Greqi, për agjentë që Sigurimi i Shtetit infiltronte periodikisht jashtë vendit e me radhë, deri në vitin 1987, kur u regjistrua aksidenti i përfolur, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i mjeshtrit të sportit të peshëngritjes, Aleksandër Kondo.

Por si është e vërteta?

A kishte këllqe shteti i vogël i Enver Hoxhës të kryente ekzekutime apo rrëmbime kundërshtarësh politikë jashtë kufijve të tij zyrtarë, apo gjithçka ka qenë dhe mbetet pjesë e legjendave të ngritura për Sigurimin e Shtetit?

Në fakt disa krerë të shteteve komuniste, filluar nga Jozef Stalini, të cilin Enver Hoxha gjatë gjithë jetës e ka pasur idhull, kishin guxuar të kryenin rrëmbime apo ekzekutime ekstreme të kundërshtarëve politikë në diasporë.

Vrasja më e bujshme, e urdhëruar nga Stalini do të ishte ekzekutimi në Meksikë i Leon Trockit – rivalit të tij për pushtet.

Pas disa tentativash të dështuara, më 20 gusht të vitit 1940, Ramón Mercader, sekretari personal i Trockit, arriti ta eliminonte atë duke i thyer kafkën me një sëpatë akulli.

Por Enver Hoxha ka pasur edhe shembuj më të afërt. Josip Tito – lideri i komunistëve jugosllavë do të rrëfehej edhe ai i pashpirt me kundërshtarët politikë në emigracion.

Në emër të Titos, vrasje të shumta do të regjistroheshin në Europë, madje deri në Australinë e largët.

Në janar të vitit 1982, policia sekrete jugosllave do të ekzekutonte në afërsi të Shtutgartit, në Gjermani, edhe tre veprimtarë nacionalistë kosovarë – vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zekën.

Në një pamje të përciptë, në fillimet e pushtetit, edhe Enver Hoxha duket sikur ka ecur në gjurmë të Stalinit dhe Titos.

Rrëmbimi i ish-kryeministrit Koço Kota

Në tetor të vitit 1944, kur pushteti ende nuk ishte konfirmuar dhe kur Tirana kontrollohej nga trupat pushtuese nazi-gjermane, të dërguarit e Enver Hoxhës do të bënin një goditje të bujshme jashtë vendit.

Ata do të rrëmbenin, në Selanik të Greqisë, ish-Kryeministrin e fundit të periudhës së Mbretërisë – Kostaq Kota, dhe ish-ambasadorin Xhavit Leskoviku.

Në fakt, sipas një dokumenti britanik të kohës, dy politikanët shqiptarë ishin rrëmbyer nga gueriljet komuniste greke dhe më pas u ishin dorëzuar partizanëve shqiptarë.

Po përse i interesonte Enver Hoxhës rrëmbimi i një ish-kryeministri që nuk kishte pasur asnjë lidhje me zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore në territorin shqiptar dhe që ishte larguar nga Shqipëria menjëherë pas pushtimit italian të vendit në 7 prill të vitit 1939?

Në fakt, në këtë periudhë, Kostaq Kota si përfaqësues i Legalitetit dhe Xhavid Leskoviku, si përfaqësues i qeverisë kuislinge të Tiranës, ishin përfshirë në negociata me politikanë grekë për krijimin e një konfederate, apo një shteti dualist greko-shqiptar.

Sa duket kjo ndërmarrje, përveçse tregonte papjekuri politike – pasi  Greqia kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë – binte ndesh edhe me planet e Titos për përfshirjen e Shqipërisë në konfederatën Jugosllave.

Pra, në këtë histori janë të gjitha gjasat që Enver Hoxha të ketë zbatuar një porosi të Titos, apo më keq akoma, i gjithë aksioni për rrëmbimin e Koço Kotës dhe Xhavit Leskovikut, të ketë më tepër autorësi jugosllave.

Atentati ndaj Sadik Premtes

Në orët e vona të natës së datës 6 maj 1951, në bulevardin San Mishel të Parisit, silueta e një të panjohuri ndoqi nga pas Sadik Premten, një nga kundërshtarët e vjetër politikë të Enver Hoxhës, të akuzuar si kryetar i një fraksioni konkurret për pushtet në zonën e Vlorës.

Si në rastin e eleminimit, jo shumë vite më parë të Leon Trokit, vrasësi fshihte poshtë rrobave një sëpatë të formatit të vogël.

Atentatori përballet me Sadik Premten, në momentin kur ky po futej në ambientet e hotelit ku banonte.

Dora me sopatë ngrihet lart që të sigurohet një goditje e fuqishme, por rrethanat e ndihmojnë viktimën, që ti mbijetojë sulmit.

Sigurimi i Shtetit kishte guxuar të godiste në qendër të Botës…

Pikërisht historitë e aksioneve dhe tentativave më të dokumentuara, të vrasjeve, rrëmbimeve të personave apo edhe të atentateve të ndryshme, që Sigurimi i Shtetit ka planifikuar e zbatuar jashtë kufijve të Shqipërisë solli mbrëmjen e sotme cikli i dokumentarëve Abc/Story në televizionin ABC./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!