Arkivi i ministrisë së Mbrojtjes së Francës ruan disa pamje tejet interesante, të datës 30 mars 1917, që paraqesin një ceremoni të ngritjes së flamurit tonë kombëtar, në qendër të qytetit të Korçës – prej disa muajsh i shpallur nga patriotët shqiptarë “Krahinë Autonome e Vetëqeverisur”.
Në pamje, mes ushtarakëve francezë dhe shqiptarë, shfaqet edhe Themistokli Gërmenji, prefekti i policisë së Krahinës Autonome dhe njëkohësisht figura më e lartë e administratës së Krahinës, pushteti i së cilës ishte garantuar edhe nga autoritetet ushtarake franceze.
Në të njëjtat filmime janë fiksuar edhe disa pamje panoramike të qytetit të Korçës, i cili qysh nga fundi i dhjetorit të vitit 1916 kishte nisur të fliste shqip.
Si rrallëherë historia ishte rrokullisur në favor të shqiptarëve. Pushtuesit grekë, bashkë me administratën e tyre, ishin përzënë. Shkollat në gjuhën e tyre ishin mbyllur. Në kohë rekord kontrollin e punëve e kishte marrë një administratë shqiptare dhe po kaq shpejt, në qytet dhe rrethina ishin çelur shkollat shqipe.
Por si rrodhën ngjarjet që projektuan një realitet kaq pozitiv? Si arritën shqiptarët të krijonin një aleancë të barabartësh me autoritetet ushtarake franceze?
Përgjigjen e jep historia. Në vitet 1912-1916, luftërat Ballkanike dhe më pas ajo Botërore ishin duke kërcënuar mbijetesën fizike të shqiptarëve.
Viti 1914 kishte qenë më i vështiri. Për tu shpëtuar masakrave të trupave të parregullta greke, të njohura si andartë, pothuaj gjithë jugu i Shqipërisë boshatiset nga banorët. Ata largohen me mijëra dhe grumbullohen në periferi të Vlorës, në gjendje tejet të mjerueshme.
Mes të tjerëve, në rolin e një dëshmitari okular, situatën e ka përshkruar një personalitet i jashtëzakonshëm – ministri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e Mal të Zi, Geroge Fred Ëilliams, duke e përfshirë edhe në librin e tij me titull “Shqiptarët”.
“Më tepër se 100 mijë barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnja lanë shtëpitë e tyre, të cilat ua dogjën e ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia, sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim, u raportua se nga këta 100 mijë emigrantë, 30 mijë kishin vdekur urie dhe s’kishin as mbulesë e as kasolle mbi krye. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi… U ktheva në Athinë dhe e tregova këtë panjerzi dhe këtë padrejtësi të fuqive Europiane, dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi e në Mal të Zi, sikurse patjetër isha i detyruar ta bëja.”
Ardhur më afër Korçës, masakrat e grekëve mbi popullsinë shqiptare i ka përshkruar në librin e vet me kujtime edhe Petro Harizi – sekretari i Përgjithshëm i administratës shqiptare të Krahinës Autonome.
“Në Korçë njohëm një andart prej të Vardhës, qe i shkurtër nga boja, 22-23 vjeç. Na rrëfente trimërllëqet që kish bërë në Ipir të Veriut. Në mes të tjerave na rrëfeu një gjë që kish bërë e cila është kaq e keqe, kaq e tmerruar, kaq shenjë e madhe egërsillëku… Nisi historinë kësilloj: atje ky hymë, në një fshat prej myslimanësh, si vramë , premë dhe dogjmë ç’gjetëm përpara, gjeta më në funt edhe dy gra të fshehura në një shtëpi, njëra prej ato qe me barrë, thera sefte atë që s’qe me barrë, sa për të dytën, nxora bajonetën, i çava barkun, i nxora foshnjën nga barku, ja mbajta lart në majë të bajonetës një hop, pastaj, si pashë që e ëma dha shpirt, e flakëriva foshnjën atje tej, lark. fq. 127”.
Duhet theksuar se nisur nga viti 1912, me qëllim zmbrapsjen e forcave greke, në Korçë e rrethina, shqiptarët ishin mbledhur rreth disa formacioneve ushtarake patriotike.
Më i shquari ndër ta, Sali Butka, si pjesë e qeverisë së Vlorës, i urdhëruar nga Ismali Qemali dhe në zbatim të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, bashkë me çetën e tij kishte zhvilluar luftime të ashpra me grekët, të cilët i kishte larguar nga një numër fshatrash të Kolonjës dhe Korçës.
Në vitin 1916, i këshilluar nga shumë patriotë të njohur shqiptarë të stacionuar në Elbasan, edhe pse në moshë të thyer, Sali Butka pranon, në kuadër të një aleance me komandën ushtarake Austriake, të marrë drejtimin e forcave për çlirimin e Korçës nga pushtuesit grekë.
Në të njëjtën linjë dhe sërish për shkak të grekëve, edhe Themistokli Germenji, një tjetër atdhetar i shquar i zonës, ishte lidhur me komandën ushtarake gjermane dhe aleatët e tyre bullgarë.
Aleancat e ngjashme i mundësonte fakti se qysh pas shpalljes së pavarësisë shqiptarët kishin nisur ti shihnin austriakët, qoftë gjermanët, si aleatë dhe asnjëherë si pushtues.
Pikërisht në këtë periudhë, në Korçë pati një zhvillim të papritur: Aty dislokohen disa batalione trupash të rregullta franceze të Armatës së Lindjes.
Fatmirësisht për shqiptarët, Franca nuk kishte marrëdhënie të mira me Greqinë për shkak të qëndrimit asnjanës në luftë. Saktësisht pushtetin në Greqi e kishte fituar partia e mbretit pro-gjerman Kostantini i Parë, ndërkohë që ish-kryeministri Eleftheris Venizellos, pas humbjes, ishte shpërngulur në Selanik, duke kërkuar mbështetje politike nga vendet e Antantës.
Për rrjedhojë Korça kontrollohej nga trupat ushtarake dhe një administratë Venizelliste, ndërsa në jug, Kolonjën, e kontrollonin trupat greke të qeverisë Kostandiniste.
Instalimi i trupave franceze në Korçë formëson një tjetër realitet që i bën shqiptarët më të vëmendshëm. Pikësëpari ata duhet të shmangnin një bashkëpunim të francezëve me grekët.
Për këtë arsye, çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, të vendosura perëndim të qytetit dhe forcat e Themistokli Gërmenjit, që mbështeteshin nga bullgarët, të pozicionuara në veri, e vendosën nën shtrëngim ushtarak qytetin e Korçës.
Letra e parë e Sali Butkës dërguar autoriteteve franceze, në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit 1916, nuk është ruajtur, por ne kemi përmbajtjen. Sipas Petro Harizit, letra, që i ishte dërguar njëkohësisht edhe popullit të Korçës, kishte këtë përmbajtje:
“1-Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2-Të çelen shkollat kombëtare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3-Ushtria Franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të shkojë të qëndrojë në Debojë, te kazermat.”
Sa duket fillimisht francezët nuk i pranojnë kushtet e Sali Butkës. Kjo lexohet në një letër të dytë të tij që mban datën 5 nëntor 1916.
Emërimi më 17 nëntor 1916 i kolonelit Henri Descions në krye të trupave franceze të dislokuara në Korçë do të ndryshonte shumë realitete.
Qysh në raportet e para për Gjenelalin Maurice Sarrail – komandantin e Armatës së Frontit të Lindjes, Koloneli Descoins i vlerësonte si serioze forcat patriotike shqiptare. Ai shkruante se “Në perëndim të Korçës, trupat austro-shqiptare të Sali Butkës barazohen me forcën e disa batalioneve franceze, ndërsa në veri të Korçës, trupat bullgaro-shqiptare të Themistokli Gërmenjit kanë forcën numerike të një batalioni francez.
Por ka edhe një tjetër detaj. Sipas kujtimeve të Petraq Katros – një prej njerëzve më të afërt të Sali Butkës, në të njëjtën periudhë që në Korçë shfaqet Koleneli Henri Descoins, austriakët dhe gjermanët po u bënin presion respektivisht Sali Butkës dhe Themistokli Gërmenjit për të sulmuar, në mënyrë të koordinuar, qytetin e Korçës me qëllim për të dëbuar trupat franceze.
Sa duket, pas këtyre informacioneve dhe duke menduar pasojat, Gjenerali Sarrail vendos që të mos armiqësohet me shqiptarët, por të tentojë ti bashkojë ata në kauzën aleate me qëllim kryesor të siguronte krahun e majtë të operacioneve të armatës franceze.
Kështu, në bazë të urdhrave të eprorit të tij, më 23 nëntor 1916, vetëm një javë pas emërimit, Koloneli Descoins i dëbon grekët nga Korça. Guvernatori, administrata, forcat ushtarake si dhe andartët largohen të gjithë drejt Selanikut.
Duke ndjekur me kujdes situatën, Themistokli Gërmenji me forcat e tij vendos të hyjë në Korçë më 24 nëntor 1916. Koloneli Descoins, në librin e tij, “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë” e sjell në këtë formë prezantimin Themistokli Gërmenjit:
“Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vij pra tek ju si një njeri plotësisht luajal, kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmoj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”.
Një ditë më pas, më 25 nëntor, Themistokli Gërmenji i drejtohet popullit të kazasë së Korçës, me një thirrje ku i bënte të ditur qëllimin e pushtimit të saj nga ushtria franceze: “Ushtria franceze erdhi zaptoi Korçën dhe mjaft prej kazasë së saj për të kuftuar kondra Austriakëvet, Gjermanëvet dhe Bullgarëvet dhe jo kundra Shqiptarëvet. Franca dhe aleatët e saj e quajnë Shqipërinë për mik dhe dëshirojnë miqësinë dhe madhërinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar… Komandari dhe Qeveritari i Francës në Korçë e njeh Korçën për vënt të Shqipërisë i njeh të gjitha të dreitat e kombit Shqipëtar dhe u zotua që, që tashi e tutje të punojë së bashku e me marrëveshje me Shqipëtarët e Korçës dhe të Kazasë së saj për qeverimin, qetësimin dhe sigurimin e këtij vendi”./abcnews.al