Një muaj përpara se ta mbyllte me këtë jetë, Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit komunist, Enver Hoxha, la pas një libër me kujtime.
Njëlloj si Ramiz Alia në vitet e fundit të jetës, kur publikonte një libër të qëruar nga mëkatet e së shkuarës, edhe ajo e pati të gjithë kohën e duhur të gjente një mënyrë të shkruari të fakteve historike me qëllim për ti bërë ato sa më natyrale, të pashmangshme apo edhe të besueshme.
Por, në këtë libër të fundit, mes këmbënguljes për të ruajtur të paprekur figurën e Enver Hoxhës, ajo ka bërë një pohim tejet të pazakontë dhe tronditës.
”Ai (ENVERI) e kishte mirë parasysh se kur i drejtonte vetë mbledhjet e Byrosë Politike, partinë dhe, në përgjithësi, punën për zbatimin e vijës dhe të strategjisë së saj, Mehmeti sillej korrekt ndaj shokëve, si në Byro dhe në çdo mbledhje ku ishte prezent Enveri. Po kur ky të mos ishte…?!”
Shkruar të paktën dy herë radhazi në libër, Nexhmije Hoxha fakton një frikë konstante të Enver Hoxhës për njeriun që duhet të linte si pasardhës. Ai nuk ja kishte besën numrit dy në hierarkinë e pushtetit – kryeministrit Mehmet Shehu.
Por edhe pse i cunguar, i vonuar, apo i papritur, ky pohim i Nexhmije Hoxhës lëshon dritë të mjaftueshme për të saktësuar e zbardhur ngjarjen më të madhe dhe më të bujshme të komunizmit shqiptar – vetëvrasjen e Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë shqiptar.
Më 18 dhjetor të vitit 1981 Mehmet Shehu gjet i vetëvrarë në shtëpinë e tij të re në Bllok vetëm pak orë pas një gjyqi apo kryqëzimi të egër që Enver Hoxha dhe gjithë anëtarët e Byrosë Politike i kishin bërë për shkak të fejesës së të birit, Skënder Shehut, me një vajzë që vinte nga një familje me biografi jo të pranueshme për normat komuniste.
Ditët e fundit të jetës Nexhmije Hoxha pohoi se Enveri nuk e preferonte Mehmet Shehun si pasardhës, pasi ai nuk ishte i bindur ti linte atij drejtimin e Partisë, apo më saktë të gjithë pushtetin.
Ndërkohë që historianë apo studiues të historisë së diktaturës komuniste në Shqipëri, kanë këmbëngulur dhe argumentuar se gjithçka që çoi Mehmet Shehun drejt vdekjes nuk kishte lidhje me fatin e Partisë, por me fatin e mëtejmë të familjes biologjike të Enver Hoxhës, filluar nga fëmijët e tij, nipërit e mbesat, bashkëshortja e të tjerë. Me pak fjalë Enver Hoxha nuk donte ta linte pushtetin Mehmet Shehut, pasi nuk ja kishte besën.
Por cili nga këto versione është ai i vërteti?
A mund të themi, që e lodhur nga arsyetimet e faktet mediatike, Nexhmije Hoxha, në ikje e sipër, u detyrua të pranonte një gjysmë të vërtete?
A mund të themi se vitet e fundit, e qetësuar për të ardhmen e familjes, ajo guxoi të rrëfente një të fshehtë, apo zanafillën e një krimi, e në këtë formë për herë të parë e tradhtoi bashkëshortin e saj – idhull, Enver Hoxhën?
Apo edhe këtë radhë gjithçka është sërish brenda djallëzores?
Është një material i sjellë ekskluzivisht dhe më së shumti përmes shënimeve sekrete të Enver Hoxhës të mbajtura gjatë ditëve që zhvilloheshin ngjarjet./abcnews.al