Një ngjarje e rëndë tronditi sot opinionin publik në Shqipëri. Babai, bashkë me dy fëmijët e tij mitur u mbytën në plazhin e Vilë-Bashtovës.
ABC News bëri një vëzhgim ditën e djeshme nga “Ura e Dajlanit” deri në afërsi të “Përroit të Agait”, ku u konstatua se kullat e vrojtimit ekzistojnë vetëm si karabina, por pa vëzhgues.
Sipas udhëzimit, sipërmarrësit që operojnë në plazhe duhet të ndërtojnë kullë vrojtimi me të gjitha pajisjet e nevojshme, që të mbajë në monitorim territorin.
Në disa raste vëzhguesin e kryejnë personat që merren me menaxhimin e shezlongëve. Kjo vetëm për t’i shpëtuar ndonjë kontrolli sporadik që kryen Agjencia e Bregdetit dhe struktura të tjera ligjzbatuese.
Pushuesit thonë se do ishin me të sigurtë po të kishte roje plazhi.
“Normal që kemi frikë, se nuk është e sigurt. Nuk kemi parë roje.”
“Rojët janë të rëndësishëm, por nuk iu kanë dhënë rëndësi. Është e rrezikshme, mbytet njeriu…”
“Polici kam parë, roje në kulla nuk kam parë askund.”
Sezoni turistik është në pikun e tij, ndërsa plazhet janë të mbushura me pushues, ku pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe shumë të huaj, kryesisht nga vendet skandinave dhe ato të lindjes.
LEXO EDHE: EMRI/ Mbytet babai dhe dy djemtë e mitur në plazhin Vilë-Boshtovë