ABC News siguron pamjet e grabitësit të postës tek Hipoteka

schedule18:02 - 15 Janar, 2018

schedule 18:02 - 15 Janar, 2018

Një filial i Postës Shqiptare brenda ndërtesës së Hipotekës në Tiranë ra pre e një grabitje me armë mesditën e sotme.
Dy autorët e dyshuar të këtij krimi janë ende të lirë.

Me planin e qartë të grabitjes dy auorët kanë mbërritur pranë ndërtesës së Hipotekës, por vetëm njëri prej tyre është futur brenda për të grabitur. Kjo është skema e krijuar deri tani për këtë ngjarje të ndodhur në Tiranë rreth orës 14:05. Grabitësi i maskuar, ka terrorizuar punonjësit e një banke të nivelit të dytë dhe në kërcënimin e armës ka marrë një sasi parash që mendohet të jenë rreth 5 milionë lekë të vjetra.
ABC News ka siguruar një foto të marrë nga kamerat e sigurisë së zonës ku duket një nga autorët e dyshuar të grabitjes pasi ka dalë jashtë ndërtesës. Nga foto nuk duket qartë fytyra e grabitesit, një djalë i veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë.
Por ekspertët e policisë dhe hetuesit po punojnë për të zbuluar identitetin e tij.
Policia thekson se pas ngjarjes, njëri prej autorëve që priste jashtë ishte larguar me një automjet tip ‘BMW’ ngjyrë gri, i cili dyshohet të ketë qenë i vjedhur, ndërsa grabitësi tjetër ka ikur në këmbë. Ky u fundit, duke u larguar nëpër disa rrugica, ishte pikasur nga policia në zonën e ‘Don Boskos’. Ai është përballur me patrullën e uniformave blu, duke iu drejtuar atyre armën, po pa qëlluar në drejtim të tyre. Dyshohet se autori i larguar me automjet ka marrë me vete dhe shumën e parave të grabitura. Policia vijon kontrollet dhe hetimin për zbulimin e autorëve të kësaj grabitjeje./abcnews.al