Blegtorët e fshatrave të Lezhë janë në hall të madh. Ata prej disa javësh janë të bllokuar prej masave për parandalimin e pandemisë dhe nuk po tregëtojnë dot asnjë shpend apo bagëti të imta.
Abc News vizitoi një prej fermave më të mëdha në fshatin Torovicë dhe u përball me problematika që kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria.
Vetëm në këtë fermë ka 2.500 shpendë dhe ushqimi i tyre ditor ka një kosto rreth 20 mijë lekësh. Eksperti i blegtorisë, Gjovalin Kaceli ngre shqetësim të fortë kur thotë se edhe në kushte normale blegtorët kanë probleme ndërsa në një situatë pandemie situata është alarmante.
“Mishi i të imtave dhe shpendëve kryesisht konsumohet në restorante që janë të mbyllura. Ka shumë blektor që janë drejt falimentimit, pasi dhe në shumicën e rasteve ato janë thjesht për mbijetesë”, është shprehur Kaceli.
Blegtorët kanë filluar të kenë probleme dhe me sigurimi e ushqimeve për shpendët apo bagëtitë. Për këtë eksperti Kaceli parashikon një situatë të frikshme.
“Nëse do të ketë mungesë të ushqimit të një minerali apo gjë tjetër shpendët do të shkojnë drejt degradimit, krahas dobësimit apo ngordhjes ato do të kalojnë deri në kanabilizëm me njëri tjetrin, deri në shuarjen e kësaj ferme”, është shprehur për Abc News eksperti.
A ka ndonjë rrugëzgjidhje që blegtorët të shpëtojnë nga falimentimi?
“E vetmja zgjidhje është që të hartohen disa programe që e mbrojnë këtë. Ka disa lloje programesh dhe këto kanë kosto”, ka thënë ndër të tjera Kaceli.
Në gjendje po kaq të vështirë janë dhe qindra blegtorë të tjerë në vendin tonë, të cilët kërkojnë që të hartohet një plan i veçantë që ti shpëtojnë falimentimit./abcnews.al