Nëna me 3 fëmijë të mitur, apel nga Laçi: Le të vijë Rama të rrijë në çadër

schedule15:00 - 6 Janar, 2020

schedule15:00 - 6 Janar, 2020

“Abc News” ka transmetuar gjatë ditës së sotme gjendjen e vështirë ku ndodhen banorët e pastrehë të Thumanës dhe të Laçit, sidomos pas motit të keq me erë të fortë dhe temperatura të ulëta.

Gazetari Juxhin Mustafaraj sjell dëshminë e një nëne të re, me tre fëmijë, më i vogli 7 muajsh, në fshatin Sanxhak të Laçit.

Bora Pera tregon se prej 3-4 ditësh ka fryrë ere e fortë që ka rrëzuar çadrën. Ajo bashkë me 3 fëmijët, 10 vjeç, 4 vjeç, dhe 7 muajsh, bashkëshortin dhe vjehërrit e moshuar kanë qendruar në çadër që nga termeti i 26 nëntorit.
Por ditët e fundit, çadra ka rënë dhe ata janë detyruar të hyjnë në banesën e rrënuar, tjegullat e së cilës rrezikojnë ti zënë brenda nga momenti në moment.

“Gjithë natën jam pa gjumë…me dy orë gjumë. I kam mbuluar fëmijët me 3 jorganë, me mendimin se po ranë tjegullat të mos u bien në kokë fëmijëve. Eshtë tmerr, tmerr, fryn ere, është ftohtë.

Kemi shkuar në bashki por nuk na japim bonus qiraje. Këtë e thotë edhe Kryeministri Edi Rama që ska bonus për ne që jetojmë në fshat. A ka fëmijë vetë ai?! A logjikojnë këta njerëz?! A janë normalë?! Si mundet që fëmija i vogël të qendrojë në çadër? Kush mban përgjegjësi për ne? Z. Rama që thotë rri në çadër të vijë vetë të rrijë në çadër…”, shprehet ajo e revoltuar. /abcnews.al