Gazetarja Luljeta Progni publikoi dje letrën e dhimbshme të Hilmi Hysit ndaj vajzës së tij Lidias teksa shokun e shkollës së Enver Hoxhës po e çonin përpara togës së pushkatimit.
Letra e dhimbshme tërhoqi vëmendjen e publikut për shkak të përmbajtjes së saj.
“Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!”, shkruan ndër të tjera Hysi në letër.
Në lidhje me këtë, gazetarja ishte e ftuar sot në emisionin “ABC-ja e Mëngjesit” të gazetarit Enkel Demi ku edhe ka shpjeguar detaje të tjera në lidhje me përmbajtjen e letrës.
Për më tepër, ndiqni intervistën e gazetares Progni:
LETRA E PLOTË
Lidja ime e dashur!
Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.
E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë… që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t’ju mungojnë të gjitha.
Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.
Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!
Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde.
Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.
Me mall të puth yt atë Hilmiu!
Tiranë, Janar 1948